Please enter at least 3 characters.

“Mëkati” i vetëm reformatorit të arsimit shqiptar: Ia ndau bursën Enver Hoxhës!

Mirash Ivanaj (1891-1953)

Shkrim homazh për reformatorin e madh të arsimit shqiptar: Mirash Ivanaj (12 mars 1891 - 22 shtator 1953)

Nga: Saimir Kadiu

- A e more vesh, mor ti?

- Jo mor zotni, ç’ka me marr vesh?

- Je i dënuar me shtatë vjet burg!

- Po për ç’ka jam dënue mor zotni?

- Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

- Po unë sa kam ardhë prej Turqie, s’kam fole me njeri, përveç punës arsimore.

- Po me atë mendim ke ardhur prej andej që të bësh propagandë.

- Po pse a ka ligje në botë zotni, që të dënojë mendimin?

- Mbylle gojën se je i dënuar!

Me këto dialogje, pjesë e farsës bolshevike, regjimi dënoi me shtatë vjet heqje lirie kryereformatorin e arsimit kombëtar, Mirash Ivanajn.

Jeta e mjeruar dhe puna shumë e rëndë në burg si përkthyes sollën degradimin e shpejtë të shëndetit të Mirash Ivanajt.

Një ditë, në shtëpinë e vuajtjeve, sipas kujtimeve të Jakov Miles, erdhi Mehmet Shehu me Bedri Spahiun. Në dhomën e përkthimeve takuan edhe Mirash Ivanajn. Plaku me respekt u ngrit në këmbë:

- Besoj se gjatë kohës së burgut do t’i kesh rishikuar pikëpamjet e tua - i tha Bedri Spahiu, asokohe ministër i Arsimit.

- Jo pikëpamjet, por bindjet e mia - e korrigjoi Mirashi. - T’ju them të drejtën: asnjë nuk kam ndryshuar.

- Atëherë nuk qenke tjetër veçse një plak matuf - iu shfry Mehmet Shehu.

- Jam nji mendimtar dhe nji demokrat që edhe sikur të kthehesha mbrapa në jetë, do të ndiqja të njëjtën rrugë.

Disa javë para ditës së lirimit nga burgu ai i ka dërguar drejtorit një letër ku i kërkonte atij ta mbante në burg se nuk kishte ku të shkonte për të banuar dhe nuk kishte asnjë të ardhur për të jetuar.

Por, i dërrmuar nga puna e rëndë dhe kushtet e tmerrshme të burgut, më 22 shtator të vitit 1953, 12 ditë para mbarimit të afatit të dënimit të tij, mbylli sytë përjetë.

U shua ne spitalin e Tiranës, pas një ndërhyrjeje të thjeshtë kirurgjikale, në moshën 62-vjeçare.

Bashkëvuajtësi Ibrahim Hasnai, si dhe ish-laboranti i spitalit, Enis Boletini, tregojnë se në spital u muar vesh që trupi i Mirash Ivanajt gjendej në auditorët e Anatomisë të Fakultetit të Mjekësisë, për eksperiment e demonstrim mësimor. Për ironinë tragjike të fatit, ai i shërbeu arsimit shqiptar edhe i vdekur.

Dhjetë vjet më pas, më 1963-in, kur të afërmit e Nikolla Ivanajt e nxorën nga vendi ku e kishin hedhur - për ta varrosur njerëzisht në varrezat e Sharrës - e gjetën të hedhur në gropë pa emër, pa arkivol, përmbys me fytyrë përdhe si një të burgosur të cilin e dënojnë përsëri pas vdekjes.

Kush ishte Mirash Ivanaj?

I lindur në Podgoricë, rridhte nga një familje patriotike prej viseve shqiptare të Malit të Zi.

Intelektual klasi dhe patriot i vendit te tij. Shkrimtar, eseist, m[sues, publicist, humanist ...

I lauruar në Rome për Filozofi dhe Jurisprudencë, Ivanaj ishte edhe një poliglot me plot shtatë gjuhë të "gjalla" dhe tri "vdekura".

Megjithëse ishte admirues i Zogut, ai ishte kritik i gjendjes mjerane të arsimit shqiptar.

E pranoi me dëshirë ofertë e Mbretit Zog për të reformuar arsimin shqiptar.

Mori portofolin e ministrit të Arsimit në vitin 1933 (pas vdekjes se Hilë Mosit), në Qeverinë e Pandeli Evangjelit.

Madhështia intelektuale, patriotizmi i nivelit me të lartë dhe gjendja mjerane e arsimit shqiptar ne vitet 30’ ishin “nxitësit” e Ligjit Ivanaj.

Në shtator të vitit 1934, paraqiti Ligjin e ri për Arsimin, duke e bërë pesëvjeçaren fillore arsim të detyruar. Krijoi gjithashtu institute edukuese dytësore të ndryshme. "Ligji i Arsimit", ose siç u bë i njohur si "Ligji Ivanaj" ishte ligji më i rëndësishëm e më i plotë i periudhës se qeverise Evangjeli.

Qëllimi i reformës së ministrit Ivanaj ishte që shkolla shqipe të kishte karakteristikat dhe fizionominë e saj, të ishte laike, shtetërore, kombëtare e demokratike, me tekste bashkëkohore të ngjashme me shkollat e Perëndimit dhe të edukonte e orientonte në atë drejtim brezin e ri. Këto ide kërkoi të sanksionoheshin me ligj dhe, në shumë raste, ia arriti qëllimit edhe për shtetëzimin e shkollave private, veçanërisht ato italiane dhe greke.

“Shkolla jonë, duhet të japë edukatë qytetare e laike, sepse qëllimi i shkollës është të formojë qytetarë të lirë, me edukatë dhe formim shkencor e teknik bashkëkohor” (ky fragment i shkurtër është shkëputur nga fjala e mbajtur prej Mirash Ivanajt, si ministër i Arsimit Kombëtar, në Parlamentin shqiptar, më 10 prill 1933).

Më 30 gusht 1935, ai dha dorëheqjen në shenjë proteste pasi Gjykata e Hagës detyroi qeverinë shqiptare që të moderonte politikat e saj ndaj shkollave minoritare. Emërohet kryetar i Këshillit të Shtetit dhe këshilltar i Mbretit Zog deri më 7 prill 1939.

Ishte absolutisht kundër pushtimit fashist të Shqipërisë dhe bashkë me miqtë e tij, Safet Butka dhe Qemal Butka, mobilizoi studentët shqiptarë në protestat kundër pushtimit.

U largua nga Shqipëria drejt Turqisë në vitin 1939, duke refuzuar pushtimin fashist te vendit. Ai u largua nga atdheu bashkë me vëllain Martin Ivanaj, jurist i shquar, kryetar i Gjykatës së Diktimit si dhe miqtë e tij, arkitektin Qemal Butka dhe filozofin Branko Merxhani, si një refuzim ndaj pushtimit italian të Shqipërisë dhe si një shpëtim për jetën e tyre.

E ka shpjeguar vetë këtë mërgim në ditarin e jashtëzakonshëm: “Na, që shpëtimin e gjetëm në t’ikun”! Kthehet në Shqipëri në tetor 1945 i kërkuar edhe nga Gjergj Kokoshi dhe i bindur që nuk kishte asnjë mëkat mbi shpine.

Autoritetet e larta i luten që të shpallë kandidaturë për deputet nga ana e Frontit Demokratik, gjë për të cilën refuzoi. Punoi në Shkollën Pedagogjike të Tiranës nga nëntori i 1945 deri më 15 maj 1946, kohë kur u arrestua si "agjent i anglezëve".

Cili ishte mëkati i Mirash Ivanajt?

"Mëkati" i vetëm ... i preu bursën më 6 shkurt 1934, në kohën që ishte ministër i Arsimit "ngelsit" Enver Hoxha.

Thuhet që kur Mirash Ivanaj u kthye në Shqipëri, u prit nga vetë Enver Hoxha, i cili me stilin e tij thumbues i thotë: "Shiko si po të presim ... jo si ty që më hoqe bursën".

Mund të qëndronte në Turqi. Por, erdhi për të bërë Shqipërinë dhe u dënua nga gjykata e teneqexhinjve dhe harbuteve provincialë.

Në këtë mënyrë Shqipëria humbi “ministrin e hekurt” te Arsimit shqiptar, siç e ka quajtur studiuesi i shquar Lazër Radi. Padyshim, me i madhi ministër i Arsimit në historinë 112-vjeçare të shtetit shqiptar.

Për ironi te fatit, asokohe, ministër i Arsimit ishte një nga katilët e gjyqeve të pasluftës: Bedri Spahiu. Vdiste i vrarë Mirash Ivanaj dhe arsimin e "reformonte" Bedri Spahiu dhe populli "liridashës" dhe "arsimdashës" për këtë kriminel kishte "kënduar": “Dridhen armiqtë / Porsi miu / I gjykon Bedri Spahiu"!

Një nga këta "armiq" ishte edhe Mirash Ivanaj dhe "krimi" i tij ishte sepse e donte Shqipërinë.