Me zanatin që e mësoi vetë, i jep zë drurit prej një çerek shekulli
Mustafa Ozdemir, 75-vjeçar që jeton në rrethin Guneysinir të qytetit turk Konya, pas rrobaqepësisë dhe riparimit të motoçikletave, e ka shndërruar prodhimin e instrumenteve muzikore, të cilin e mësoi vetë gjatë viteve të pensionit, në një angazhim të pandashëm të jetës së tij.
Ozdemir, i cili prej një çerek shekulli i jep formë drurit në punishten e ngritur në kopshtin e shtëpisë së tij, prodhon instrumente të ndryshme muzikore, veçanërisht bakllama, ud dhe kabak kemane, si dhe bastunë.
Falë aftësive që i zhvilloi përmes metodës së provës dhe gabimit, pa qenë nxënës i ndonjë mjeshtri, Ozdemir si prodhon instrumente ashtu edhe di t'i luajë ato.
Në orët e para të mëngjesit hapë derën e punishtes dhe përcakton instrumentin që do të punojë atë ditë sipas llojit të drurit.
Ozdemir tha se që nga fëmijëria ka pasur interes për gjërat që kërkojnë mund me dorë.
Duke treguar se gjatë jetës së tij ka punuar 20 vjet si rrobaqepës dhe 20 vjet si riparues motoçikletash, Ozdemir tha se edhe këto profesione i kishte mësuar vetë.
Ai thotë se pasioni i tij për muzikën daton që nga vitet e fëmijërisë.
Instrumentet që prodhon shpesh i dhuron ndërsa disa persona i japin një shumë parash si "shpërblim për mundin e tij". /AA/


