Please enter at least 3 characters.

Me pseudonimin “Hello Halil” shqiptari kapet duke i shitur detergjent në vend të drogës një hetuesi policor në Zvicër

Foto: Ilustrim

Sipas një raportimi të fundit nga gazeta “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ), një shqiptar 28-vjeçar është dënuar nga drejtësia zvicerane për tentativë mashtrimi, pasi u përpoq t’i shiste detergjent rrobash një hetuesi të infiltruar të policisë, duke e paraqitur atë si kokainë.

Ngjarja ka ndodhur më 2 janar në stacionin qendror të trenit në Zürich. Hetuesi i policisë kishte rënë në kontakt me të akuzuarin përmes një profili në Facebook me emrin “Hello Halil”.

Sipas urdhrit penal të Prokurorisë Zürich-Limmat, të dy palët kishin rënë dakord për shitblerjen e 50 gramëve kokainë për një shumë prej 2400 frangash zvicerane.

Në orën 20:25, personi u takua me agjentin e policisë afër një binari të stacionit të trenit. Ai i dorëzoi hetuesit një çorape ngjyrë hiri, brenda së cilës ndodhej një qese plastike e mbyllur mirë, duke pohuar se ishte lënda narkotike e porositur.

Meqenëse hetuesi nuk mund ta hapte paketimin në vendin e ngjarjes për ta verifikuar, ai i kërkoi shitësit ta bënte këtë, por ky i fundit refuzoi.

Pas arrestimit dhe kontrollit të substancës, rezultoi se brenda qeses nuk kishte kokainë, por detergjent. I akuzuari, i cili nuk rezulton me vendbanim të përhershëm në Zvicër, u dërgua në mbajtje për dy ditë.

NZZ bën të ditur se prokuroria nuk e ka dënuar 28-vjeçarin për vepra penale që lidhen me narkotikët, por për tentativë mashtrimi.

Arsyetimi ligjor bazohet në faktin se i akuzuari ka shfrytëzuar besimin e blerësit për të përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë parash, duke ofruar një produkt të rremë që blerësi nuk mund ta kontrollonte menjëherë.

Dënimi i shqiptuar është një gjobë prej 1200 franga, plus 800 franga shpenzimet e procedurës gjyqësore.