Please enter at least 3 characters.

Mbyllet për qarkullim magjistralja Ferizaj–Gjilan, vërshohet sërish segmenti në fshatin në Sojevë

Foto: Arkiv/ Fshati Sojevë

Magjistralja Ferizaj–Gjilan është mbyllur për qarkullim në segmentin e fshatit Sojevë, si pasojë e vërshimit të trasesë së rrugës pas reshjeve të mbrëmshme të shiut.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Telegrafin se grumbullimi i ujit në rrugë ka pamundësuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks.

“Aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojevë, për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë, është i mbyllur për qarkullim”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka shtuar se për të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim janë përcaktuar rrugë alternative.

“Të gjitha automjetet udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën Ferizaj–Mirosal–Gjilan dhe anasjelltas”, ka theksuar Veseli.

Sipas Policisë, kjo nuk është hera e parë që ky segment rrugor vërshohet, pasi situata të ngjashme janë shënuar edhe gjatë reshjeve në fillim të këtij viti, si dhe vitin e kaluar, duke shkaktuar dëme në biznese dhe toka përreth.

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe kushteve të vështirësuara atmosferike.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/