Please enter at least 3 characters.

​“Djegin paratë”, PSD me aksion simbolik hap fushatën zgjedhore

Partia Socialdemokrate, sonte ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore përmes një aksioni simbolik në Prishtinë, ku u dogjën kartëmonedha për të paraqitur, siç u tha, “fundin e opozitarizmit formal” në Kosovë.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, gjatë fjalimit të tij akuzoi opozitën aktuale se për vite me radhë ka vepruar mbi baza të interesave financiare dhe klanore, duke mos ushtruar kontroll real ndaj qeverisë.

“Kosova për 5 vjet s'ka pas opozitë. Praktikisht opozita në Kosovë, qysh e kemi thënë për këto tri javë, ka qenë një opozitë e cila ka ngarend nga interesat e tyre, prej atyre të energjisë qysh ishte rasti i Lutfi Hazirit, i familjarëve të tij, e deri te lagjet e shtrenjta e lokalet e shtrenjta siç është Marigona, Izabelli. Pra, Kosova është qeverisur nga një subjekt pa opozitë, pa kundërshtime dhe pa kontroll mbi këtë qeverisje. Besojmë që kjo fushatë duhet t'i japë vulën e fundit që Kuvendi i Kosovës më 7 qershor ose pas 7 qershorit të ketë opozitë përnime. Nuk mundesh të bësh opozitë nga lagjet luksoze, nuk mundesh të bësh opozitë përderisa bën biznese dhe nuk mundesh të kundërshtosh pushtetet e fuqishme derisa ke interesa. Është koha vendimtare që të bëjmë një pikëprerje që partitë politike të jenë të organizuara rreth ideve, rreth kauzave, rreth çështjeve e jo rreth interesave qofshin ato grupore apo individuale”.

Në fund të aksionit simbolik, përfaqësuesit e PSD-së dogjën kartëmonedha të printuara, duke thënë se po “digjet koncepti i opozitës së deritanishme”, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të mbështesin, sipas tyre, një opozitë të re dhe më të fortë në Kuvend.

“Në mënyrë simbolike ne besojmë se sot duhet t'ia djegim këtë koncept të kësaj opozite, pra të opozitës formale që ka shkua pas interesave financiare, që t'i hapim rrugë opozitës përnime, opozitës e cila ka me e ballafaqu pushtetin, me kontrollua ato dhe me sfidua ato dhe me u organizua rreth ideve. Prandaj më lejoni që në mënyrë simbolike të djegim këtë koncept të opozitarizmit të derisotëm” përfundoi Molliqaj.

Fushata zgjedhore zyrtarisht nis nesër, dhe zgjedhjet parlamnetare mbahen më 7 qershor.