Mbreti Charles jep lajmin e mirë për betejën e tij me kancerin
Mbreti Charles ka ndarë në një fjalim televiziv se, falë diagnozës së hershme, trajtimi i tij për kancerin mund të reduktohet në vitin e ri.
Në një fjalim televiziv, Charles tha se "lajmi i mirë" i tij ishte "falë diagnozës së hershme, ndërhyrjes efektive dhe zbatimit të urdhrave të mjekëve".
"Ky moment historik është si një bekim personal ashtu edhe një dëshmi e përparimeve të jashtëzakonshme që janë bërë në kujdesin ndaj kancerit vitet e fundit", shtoi ai.
"Dëshmi që shpresoj se mund t'u japë inkurajim 50% prej nesh që do të diagnostikohen me sëmundjen në një moment të jetës sonë", vazhdoi Mbreti Charles.
Mbreti njoftoi në shkurt 2024 se ishte diagnostikuar me kancer dhe po fillonte trajtimin.
Monarku shtyu të gjitha angazhimet me publikun, por vazhdoi me detyrat e tij si kreu i shtetit pas mureve të pallatit, duke drejtuar audienca dhe mbledhje të Këshillit Privat.
Ai u rikthye në detyrat publike në prill të vitit të kaluar dhe vizitoi Qendrën e Kancerit Macmillan në Spitalin e Kolegjit Universitar në Londrën qendrore me Mbretëreshën.
Ai ka zgjedhur të mos zbulojë se për çfarë lloj kanceri është trajtuar.
Burime nga pallati ia atribuojnë këtë pjesërisht faktit se ai nuk dëshiron që një lloj kanceri të duket më i rëndësishëm ose të tërheqë më shumë vëmendje se të tjerët.
Në një apel drejtuar njerëzve që të kryejnë teste të hershme për sëmundjen, Mbreti tha: “E di nga përvoja ime se një diagnozë e kancerit mund të duket e vështirë”.
"Megjithatë, unë gjithashtu e di se zbulimi i hershëm është çelësi që mund të transformojë trajtimin, duke u dhënë kohë ekipeve mjekësore - dhe, pacientëve të tyre, dhuratën e çmuar të shpresës. Këto janë dhurata që të gjithë mund të ndihmojmë në ofrimin e tyre", tha ai.
"Diagnoza e hershme thjesht shpëton jetë", ishte mesazhi i Mbretit. /Telegrafi/


