Please enter at least 3 characters.

Mbi 43 mijë njerëz dhuruan për heroin e sulmit në plazhin australian - merr çek prej 1.4 milion eurosh

Njeriu që po lavdërohet si hero, sepse ia rrëmbeu armën njërit prej sulmuesve gjatë të shtënave masive në plazhin australian Bondi, të premten mori një çek prej më shumë se 1.65 milion dollarësh amerikanë (1.4 milion euro).

Paratë u mblodhën nga donacionet e dhjetëra mijëra njerëzve në mbarë botën, shkruan reuters.

Ahmed al Ahmed u fsheh pas makinave të parkuara, përpara se të sulmonte nga pas njërin prej sulmuesve, t’i rrëmbente armën dhe ta rrëzonte përtokë. Gjatë kësaj, ai pësoi plagë nga plumbat, pasi duket se ndaj tij qëlloi një sulmues tjetër. Aktualisht po shërohet në spital pas një operacioni.

Çeku gjigant iu dorëzua në shtratin e spitalit nga Zachery Dereniowski, influencer në rrjetet sociale dhe bashkëorganizator i fushatës në platformën GoFundMe. Babait mysliman të dy fëmijëve iu dorëzua një çek prej saktësisht 2.533.585 dollarësh australianë.

Në mbledhjen e fondeve morën pjesë më shumë se 43 mijë njerëz nga e gjithë bota, përfshirë miliarderin dhe menaxherin e fondit “Hedge", Bill Ackman, i cili dhuroi 99.999 dollarë australianë. Ahmedin e vizituan në spital edhe kryeministri australian dhe kryeministri i shtetit për ta lavdëruar për guximin e tij.

Kur iu dorëzua çeku, Ahmed pyeti se “a e meritoj këtë?”, ndërsa Dereniowski u përgjigj se “çdo qindarkë”. I pyetur se çfarë mesazhi do t’u dërgonte njerëzve që dhuruan, Ahmed tha se “të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, të gjitha qeniet njerëzore. Dhe t’i harrojmë të gjitha të këqijat… dhe të vazhdojmë të shpëtojmë jetë”.

“Kur i shpëtova njerëzit, e bëra nga zemra, sepse ishte një ditë e bukur; të gjithë po shijonin festën, me fëmijët e tyre, gratë, burrat, adoleshentët—të gjithë, të gjithë ishin të lumtur dhe meritojnë, meritojnë të shijojnë,” shtoi Ahmed.

Ndryshe, 43-vjeçari u largua nga qyteti i tij i lindjes në provincën veriperëndimore siriane Idlib para gati 20 vitesh për të kërkuar punë në Australi.

Kujtojmë se në sulmin e së dielës u vranë pesëmbëdhjetë persona dhe dhjetëra u plagosën pasi dy sulmues hapën zjarr ndaj njerëzve që po festonin Hanukën, festën hebraike të dritës, në plazhin e njohur. Autoritetet njoftuan se sulmin e kryen një baba 50-vjeçar, i cili u vra nga policia, dhe djali i tij 24-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje kritike. /Telegrafi/