Please enter at least 3 characters.

Mbi 400 raste penale – historia kriminale e dy të dyshuarve për grabitjen në Pejë, kërkohet paraburgim për ta

Prokuroria Themelore në Pejë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të dyshuar për veprën penale “Grabitja”, e cila ndodhi më 28 janar në rrugën “Eliot Engel” në Pejë.

Të dyshuarit për këtë vepër janë T.B., i lindur më 24 qershor 2001 në Pejë, dhe A.J., i lindur më 29 maj 1997, po ashtu nga Peja, të cilët aktualisht gjenden në masën e ndalimit.

Nga dosja e siguruar nga Telegrafi, thuhet se të dyshuarit ndodhen në ndalim nga data 30 janar 2026, rreth orës 23:00, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Grabitja”, sipas nenit 317 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, për njërin nga të dyshuarit, Prokuroria thekson se përveç grabitjes, dyshohet edhe për veprën penale “Vjedhja e rëndë”.

Prokuroria vlerëson se në këtë rast janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes.

Në kërkesë theksohet se pas kryerjes së veprës penale, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, kanë shmangur arrestimin nga Policia e Kosovës dhe janë fshehur në lokacione të ndryshme, pa lejen e pronarëve të shtëpive ku janë strehuar.

“Pas kryerjes së veprës penale kanë qenë në arrati dhe të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, gjegjësisht të njëjtit fillimisht i kryejnë veprat penale, pastaj arratisen nga vendi i ngjarjes, më pas shkojnë në fshatin Shushicë komuna e Istogut ku strehohen në një shtëpi pa lejen e pronarit, pastaj shkojnë në bjeshkën e Repishtës, ku prapë pa lejen e pronarit futen në një stan dhe aty arrestohen nga Policia e Kosovës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në dosje përmendet gjithashtu se njëri nga të dyshuarit, A.J., është person i njohur për organet e rendit, pasi ndaj tij janë lëshuar më herët 11 urdhërarreste për raste të ndryshme penale të kryera nga viti 2015 e tutje, çka sipas Prokurorisë rrit edhe më tej rrezikun e shmangies nga drejtësia.

Sipas dosjes së Prokurorisë dy të pandehurit A.J dhe T.B janë të njohur për organet e hetuesisë.

“Referuar data bazës së Policisë së Kosovës i pandehuri T.B rezulton si i involvuar në 303 raste penale, prej të cilave si i dyshuar në 302 raste. Po ashtu ceket se për të njëjtin kishte të lëshuar edhe 1 urdhëarrest. I pandehuri A.J rezulton si i involvuar në 134 raste penale, prej të cilave si i dyshuar në 129 raste. Po ashtu ceket se për të njëjtin kishte të lëshuar edhe 11 urdhëarreste. Që të dy të pandehurit, shumicën e veprave penale i kanë vepra penale kundër pasurisë. Prandaj, me lënien e të pandehurve në liri ekziston rreziku real, që të pandehurit, të vazhdojnë kryerjen e veprave penale të tilla”, thuhet në dosje.

Bazuar në këto rrethana, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë që ndaj të dyshuarve të caktohet masa e paraburgimit, duke vlerësuar se çdo masë më e butë nuk do të ishte e mjaftueshme për të siguruar praninë e tyre në procedurë penale.

Ndërkaq, sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve të nxjerrë më 1 shkurt 2026 nga Prokuroria Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, hetimet penale nuk përfshijnë vetëm dy të dyshuarit që ndodhen në ndalim, por edhe një person të tretë, i cili aktualisht gjendet në arrati.

Në dosje thuhet se më 28 janar 2026, rreth orës 15:45, në rrugën “Eliot Engel” në Pejë, të dyshuarit T.B. dhe A.J., në bashkëkryerje, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, kanë kryer grabitje ndaj një lokali.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, ata kanë thyer xhamin e lokalit, kanë përdorur mjete të rrezikshme dhe kanë kanosur seriozisht për jetën dhe trupin e punëtores së lokalit. Njëri nga të dyshuarit ka mbajtur rojë jashtë, ndërsa tjetri ka hyrë brenda, ku nën kërcënimin e thikës i ka kërkuar viktimës para, duke i marrë rreth 1 mijë euro, pas së cilës janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në dosje përshkruhet gjithashtu se më 27 janar 2026, nga ora 06:00 deri rreth orës 06:05, i dyshuari T.B., fillimisht në bashkëkryerje dhe më pas i vetëm, ka tentuar dhe ka realizuar hyrje të dhunshme në disa objekte në Pejë.

Sipas aktvendimit, ai ka tentuar të hyjë në një barnatore, por pasi nuk ka arritur, rreth orës 06:05 ka depërtuar me forcë në një lokal tjetër, duke dëmtuar derën hyrëse. Nga brenda ka marrë një telefon mobil Samsung, 200 euro para të gatshme dhe sende të tjera në vlerë rreth 149 euro, pas së cilës është larguar nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu, në aktvendim përmendet se më 21 dhjetor 2025, rreth orës 21:35, në një barnatore në Pejë, të dyshuarit T.B. dhe A.K., së bashku me personin e tretë A.J., i cili ndodhet në arrati, kanë vepruar si bashkëkryerës.

Sipas Prokurorisë, fillimisht janë siguruar që punëtorja e barnatores të ishte pa mbikëqyrje, më pas dy prej tyre kanë mbuluar fytyrat, kanë hyrë brenda lokalit dhe nën kërcënimin e thikës i kanë kërkuar asaj para, duke i thënë “qiti paret”. Nga arka janë marrë rreth 800 euro, pas së cilës të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Për këto veprime, Prokuroria thekson se ndaj T.B. përveç veprës penale “Grabitja”, ekziston dyshimi i bazuar edhe për veprën penale “Vjedhja e rëndë”, sipas nenit 315 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa për të dyshuarit e tjerë veprat penale lidhen me grabitje në bashkëkryerje, sipas nenit 317 të KPRK-së.

Në aktvendim theksohet se personi i tretë i dyshuar, A.K., i lindur më 23 maj 2004 në Pejë, ndodhet në arrati, ndërsa ndaj tij hetimet janë duke vazhduar ndaras. /Telegrafi/



true