Mbeturinat mbulojnë rrugët e Prishtinës, qytetarët ankohen për mosgrumbullim dhe rrezik nga minjtë
Gjendja me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë vazhdon të mbetet problematike, me grumbuj të shumtë mbeturinash të shpërndara në lagje të ndryshme të qytetit.
Në rrugën “Mark Isaku”, siç shihet edhe në fotografi, një sasi e madhe mbeturinash, kryesisht kartonë dhe mbetje të tjera, janë hedhur në hapësira publike, duke penguar qarkullimin dhe duke krijuar pamje të papërshtatshme për zonën.
Sipas ankesave të vazhdueshme që qytetarët i kanë adresuar redaksisë së Telegrafit, mbeturinat nuk po grumbullohen me kohë nga kompania përgjegjëse, çka ka ndikuar në përkeqësimin e situatës në pothuajse të gjitha lagjet e kryeqytetit.
Banorët shprehen të shqetësuar edhe për pasojat që kjo gjendje mund të ketë në shëndetin publik.
Ata theksojnë se kohëve të fundit është vërejtur shtim i pranisë së minjve në afërsi të kontejnerëve dhe grumbujve të mbeturinave, duke ngritur shqetësime për përhapjen e mundshme të sëmundjeve. /Telegrafi/


