Mbështetje të pakursyer për sportistët
Ministri i Sportit, Kujtim Shala, i ka pritur të premten sportistët kosovarë, të cilët morën pjesë në Lojërat Evropiane. Ai i ka përgëzuar ata për paraqitjen që e patën në “Baku 2015”, ndërsa ia ka ndarë shpërblimin medalistes së bronztë, Nora Gjakova, por edhe medalistes së argjendtë në Botërorin e Juniorëve, Donjeta Sadiku.
Ndërkohë, Shala ka kërkuar nga sportistët ta ndjekin rrugën e medalisteve, duke premtuar mbështetje nga institucioni që ai e drejton.
“Ju përgëzoj për mënyrën se si e përfaqësuat vendin tuaj në Baku, ju kemi ndjekur me vëmendje. Keni pasur paraqitje të mirë, duke sjellë edhe medalje. Këto Lojëra Evropiane kanë zbuluar mundësitë dhe kapacitetin që keni ju, por edhe mangësitë, të cilat do të mundohemi që bashkërisht t’i përmirësojmë”, ka thënë fillimisht Shala në konferencë për shtyp.
“Duhet të punojmë shumë dhe ne do të mundohemi t’ju përkrahim sa të mundemi. Në garat tjera të nivelit të tillë, besoj se do të shkojmë me numër më të madh të sportistëve dhe të arrijmë rezultate edhe më të mëdha. Për këtë herë, kjo është e mjaftueshme. Ne do të mundohemi t’ju shërbejmë, ndërsa ju të punoni”, vazhdoi ministri.
Gjakova ndihet krenare
Nora Gjakova i ka përshkruar emocionet që ndjeu me përfaqësimin e Kosovës në Baku, por edhe për medaljen e fituar. “Ka qenë nder për mua ta përfaqësoja vendin tim. Nuk kam menduar se mund të fitoja medalje, por ajo arriti në momentin e duhur. Në Baku e dëshmuam se mund të arrijmë. Më vjen mirë që puna ime po shpërblehet edhe financiarisht”, tha Nora, e cila u shpërblye me 20 mijë euro. Trajneri i saj, Driton Kuka, të cilit do t’i takojnë 10 mijë euro, u shpreh optimist se Kosova mund të fitojë medalje në Olimpiadën e Rios, vitin tjetër.
Ndërkaq, boksierja Sadiku u “pasurua” me 5 mijë euro, derisa trajneri i saj, Besim Brahimi, me 2.500 euro. “E kisha ëndërr që në fëmijëri ta përfaqësoja vendin tim dhe e arrita. Medalja në Botëror më ka bërë krenare. Do të mundohem të fitoj medalje edhe në Evropianët e Botërorët tjerë”, tha boksierja e re kosovare.


