Mbappe flet për humbjen nga Benfica, ka edhe një kërkesë për tifozët e Realit: Goli i katërt ishte turp për ne
Kylian Mbappe ka reaguar ashpër pas humbjes së Real Madridit me rezultat 4-2 ndaj Benficas në Ligën e Kampionëve, duke shprehur pakënaqësi të madhe me mënyrën se si skuadra e tij e lejoi kundërshtarin të shënonte gola të lehtë.
Edhe pse francezi realizoi dy gola në këtë sfidë, ai pa ekipin madrilen të pësonte katër herë dhe të përfundonte ndeshjen me vetëm nëntë lojtarë.
Pas përfundimit të takimit, Mbappe foli për mediat duke theksuar se problemi kryesor i Realit është mungesa e qëndrueshmërisë.
“Na mungon stabiliteti në performancën tonë dhe kjo është ajo që duhet të rregullojmë. Është e dhimbshme të luash në fazën eliminatore, por Benfica e meritoi fitoren".
Sulmuesi nuk i kurseu kritikat sidomos për golin e fundit të pësuar, kur portieri i Benficës, Trupin realizoi për golin përfundimtar.
“Goli i fundit që pësuam ishte një turp për ne. Nuk ndryshoi asgjë për rezultatin, vetëm sa na shtoi turpin. Ne e meritojmë të jemi në pozicionin ku jemi”, tha MBappe.
Pavarësisht eliminimit të parakohshëm, Mbappé e mbylli fazën e ligës së Ligës së Kampionëve 2025/26 me plot 13 gola, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur nga Cristiano Ronaldo.
Para ndeshjes së ardhshme në La Liga, Mbappe u bëri thirrje tifozëve madrilenë që të mos reagojnë me fishkëllima, por të qëndrojnë pranë ekipit.
“Nuk mund të vazhdojmë të jemi kaq të paqëndrueshëm. Kampionët nuk jetojnë ‘ditë për ditë’. Çfarë do t’u thoja tifozëve që do të vijnë në Bernabeu? Të vijnë me dëshirën për të mbështetur ekipin. Nëse Bernabeu është në anën tonë, mendoj se do të fitojmë të dielën”, tha Mbappe.
Real Madridi synon të rikthehet te fitoret në ndeshjen e radhës ndaj Rayo Vallecanos në Santiago Bernabeu, por tashmë do të duhet të luajë edhe dy ndeshje shtesë në playoff-et e Ligës së Kampionëve për të vazhduar garën evropiane. /Telegrafi/


