“Maskilizëm me rrahje gjoksi”: Tapiceria e Bajosë zbulon të vërtetën e përgjakshme dhe të pahijshme për Mesjetën
Në rrëfimin e kryeveprës së shekullit XI për një fron të kontestuar, e cila së shpejti do të ekspozohet në Mbretërinë e Bashkuar, burrëria barazohet me pushtetin - dhe me shtojcën më të madhe e më krenare. Ajo rrëfen një histori që duket e njohur sot.
Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Tapiceria e Bajosë [Bayeux Tapestry] rrëfen një histori të përgjakshme - dhe herë pas here të pahijshme - të pushtimit norman të Anglisë. Kryevepra e ndërlikuar është qëndisur në 70 metra pëlhurë liri dhe thur një rrëfim për thyerjen e premtimeve, lakminë dhe agresionin, që kulmon me vdekjen e Mbretit Harold II në Betejën e Hejstingsit.
Pas pothuajse një mijë vjetësh, vepra ikonike e artit po kthehet nga Normandia e Francës në Angli, ku u qëndis me mjeshtëri në vitet 1070 dhe, nga ky shtator, do të ekspozohet në Muzeun Britanik.
Është një vepër arti që paraqet një version mesjetar të manosferës së sotme digjitale: një ideologji dhe botë e përqendruar te hipermaskuliniteti dhe përvojat e burrave. Dhe, një botë ku madhësia ka rëndësi.
Kontributet e burrave janë në qendër të shoqërisë së shekullit XI që tapiceria paraqet. Një e treta e burrave në të janë të armatosur, ndërsa të tjerët janë të angazhuar fuqishëm në prerjen e pemëve, ndërtimin e anijeve dhe në ndërtime. Një druvar, ulur me këmbë të hapura mbi një trung të gjatë, bën gati sëpatën, ndërsa gjuetarët tundin shkopinjtë e mëdhenj mbi kokë teksa ndjekin prenë e tyre. E gjithë kjo ndihmon në përcjelljen e atmosferës së tensionuar të një ballafaqimi të afërt mes dy meshkujve alfa: Uiliamit, Dukës së Normandisë, dhe Haroldit II. “Është e vështirë të gjesh një skenë më të mbushur me testosteron”, komenton Dr. Christopher Monk, historian i kulturës së Anglisë mesjetare.
- Lexo po ashtu: “Dokumenti më i vrazhdë i historisë së luftës”: Detajet e thjeshta, por tronditëse të Tapicerisë së Bajosë
Kjo shfaqje sugjestive e maskilizmit me rrahje gjoksi zbulon një shoqëri mesjetare të krijuar për burrat dhe nga burrat, ku dhuna zgjidh mosmarrëveshjet dhe humori prej çunash shërben për të fituar pikë politike. Plaçkitës të armatosur bëjnë kërdinë nëpër Hejstings, ndërsa ushtarët e rënë në skajin e poshtëm zhvishen lakuriq për t’ua marrë armaturën, ashtu siç Haroldi, i vrarë sipër tyre, zhvishet nga pretendimi i tij për fronin.
Penisi si motiv i përsëritur
Nëse ka një motiv që përsëritet në këtë vepër ikonike arti, ai është penisi. Në vitin 2018, George Garnett, profesor i historisë mesjetare në Universitetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar, numëroi 93 të tillë - shumica të erektuar - në qëndisje. Tetëdhjetë e tetë u përkisnin kuajve dhe pesë të tjerë burrave, ndërsa një këllëf shpate i varur (të cilin ai e përjashton) ka shkaktuar debat të konsiderueshëm në qarqet akademike.
“Madhësia ka rëndësi në Tapicerinë e Bajosë”, vëren Janina Ramirez në Femina: Një histori e re e Mesjetës, përmes grave të fshira prej saj [Femina: A New History of the Middle Ages, Through the Women Written Out of It, 2022]. Në rrëfimin e tapicerisë për një fron të kontestuar, burrëria barazohet me pushtetin dhe, siç vëren ajo, shtojca më e madhe dhe më krenare “i përket hamshorit të bukur që i paraqitet Uiliamit në prag të betejës”. Vendin e dytë e zë kali i Mbretit Harold, “duke nënkuptuar se ai është një kundërshtar i denjë”.
Brenda traditave të artit të shekullit XI, lakuriqësia grafike ishte e zakonshme dhe është krejt e mundur që këta penisë të jenë qëndisur nga murgeshat. “Ato pasqyrojnë atë që ishte kaq e dukshme në shoqërinë elitare mesjetare - në përgjithësi, burrat ishin shtytësit kryesorë të sovranitetit politik”, i thotë Monku BBC-së. “Përdorimi i organeve gjenitale mashkullore, qoftë të njeriut apo të kuajve”, thotë ai, është “një mënyrë e shkurtër për të shprehur maskilizmin politik në kontekstin e kalimit drejt botës së re anglo-normane në Anglinë mesjetare”.
Nëse gratë luajnë një rol të vogël në tapiceri, kjo ndodh kryesisht sepse “rrëfimi sillet rreth veprimeve të burrave”, i thotë BBC-së, Dr. Emily Joan Ward, ligjëruese e historisë mesjetare në Universitetin e Edinburgut në Mbretërinë e Bashkuar. “Në pjesën më të madhe, paraqiten burra të angazhuar në veprimtari ushtarake dhe, në ato skena beteje, nuk do të prisnim të shihnim gra”.
Nëse një raport prej një me 100 ende duket i pabarabartë, një shpjegim mund të gjendet te publiku për të cilin ishte menduar vepra. Historianët besojnë se porositësi i mundshëm i tapicerisë ishte gjysmëvëllai i Uiliamit, peshkopi Odo i Bajosë, i cili zë një vend të rëndësishëm në të dhe mund ta ketë përdorur tapicerinë për të theksuar rolin e tij të rëndësishëm në fushatën për sundimin e ligjshëm të Uiliamit.
“Përmbajtja ndoshta synon të ketë jehonë tek ai dhe rrethi i tij i ngushtë shoqëror, i cili në pjesën më të madhe do të ketë qenë një rreth homosocial burrash”, thotë Wardi. Me një porositës norman, mesazhi duhej të ishte në përputhje me të. “Futja e shumë grave në rrëfim është në fakt disi e rrezikshme”, shton ajo. “Përpjekjet e Uiliamit për të theksuar legjitimitetin e tij për fronin përmes linjës femërore mund ta kenë bërë krijuesin ose porositësin të druhej se mos tërhiqte vëmendjen te ky pretendim i brishtë”.
Gjashtë gratë në tapiceri
Gratë në rrëfimin qendror shërbejnë kryesisht si ajo që Monku e quan “pikësim emocional”. Mbretëresha Edit, një figurë me shumë ndikim në politikën e oborrit, fshin lotët me shaminë e saj ndërsa bashkëshorti i saj, Eduard Rrëfyesi, merr frymët e fundit; ndërsa një grua dhe fëmija i saj ikin teksa ushtarë gjigantë normanë, pa e vrarë mendjen, i vënë zjarrin shtëpisë së tyre. Duke lënë mënjanë shprehjet dhe përmasat e çuditshme, është një skenë që na kujton, thotë Ward, “se lufta nuk është vetëm një ngjarje e dominuar nga burrat, nuk është vetëm ajo që ndodh në fushëbetejë”.
Ajo i referohet historianes Catherine Karkov, e cila vëren se gratë në regjistrin kryesor shfaqen në ato çaste kur ndryshojnë raportet e pushtetit. “Nëse e interpretojmë në këtë mënyrë”, vëren Wardi, “kjo u jep atyre një rol mjaft të fuqishëm në tapiceri”.
Bordurat dekorative sipër dhe poshtë tapicerisë na çojnë në një botë që është më subversive për shkak të kritikës së saj të koduar ndaj personazheve qendrore, shpesh në formën e fabulave. Pikërisht këtu shfaqen tri nga gratë.
Në bordurën e poshtme, një grua zmbrapset nga një agresor seksual, për të cilin mendohet se është babai i saj. Më vonë, në bordurën e sipërme, dy gra të zhveshura që bëjnë gjeste drejt burrave lakuriq mendohet se lidhen me rrëfimet për një joshëse dhe një prostitutë të cilat përdorën trupat e tyre për të mashtruar, duke aluduar për betimin e thyer të Haroldit.
Na mungon vajza e Uiliamit, Agata e Normandisë, e cila iu ofrua Haroldit si pjesë e shkëmbimit për kurorën. Wardi vëren se na paraqitet anija mbresëlënëse kryesore e Uiliamit, anija më e madhe dhe më e shpejtë e flotës normane, e quajtur Mora, por nuk e shohim gruan e tij të fuqishme, Matildën e Flandrës, e cila pagoi për anijen për të ndihmuar në arritjen e suksesit ushtarak që do ta bënte atë mbretëreshë.
“Momenti mesjetar Me Too”
Megjithatë, një figurë misterioze e mbështjellë me mantel përmendet me emër: Aelfgiva. Një prift në dukje grabitqar, me një pelerinë të gjelbër, zgjat dorën drejt fytyrës së saj, ndërsa në kornizë, një burrë lakuriq me organe gjenitale jashtëzakonisht të mëdha imiton pozën e tij. Propozimet se kush është ajo dhe pse ndodhet aty janë të shumta. Ka kuptim sugjerimi i Dr. David Musgrove, bashkautor i Rrëfimi prapa tapicerisë së Bajosë [The Story of the Bayeux Tapestry, 2026], se ngacmimi seksual nga prifti po denoncohet në “një moment mesjetar Me Too”.
Të tjerët kanë qenë më shpërfillës. Siç komentoi një historian i shekullit XX: “Meqenëse nuk i shton asgjë rrëfimit, përveç një çasti pështjellimi, e kemi konsideruar të arsyeshme ta lëmë jashtë”.
Ashtu siç murgjit futnin ilustrime në margjinat e dorëshkrimeve, është e mundur që qëndistareve t’u jetë lejuar njëfarë lirie krijuese me këto komente enigmatike për rrëfimin qendror. “Pa dyshim që ato punonin sipas një skice”, i thotë Monku BBC-së. “Por, kjo nuk do të thotë patjetër se ato ishin thjesht zbatuese të vullnetit të dikujt tjetër, apo se çdo hollësi ishte e diktuar”.
Ndoshta, në bordurë, gratë e padukshme pas kësaj vepre e thanë fjalën e fundit. “A ishte kjo një mënyrë për të shprehur dëshpërimin ndaj burrave luftarakë apo ndaj gjendjes së tyre si gra të nënshtruara angleze? A ka ndonjë element talljeje, veçanërisht me Uiliamin? Apo po kënaqeshin me një humor lozonjar e të shpenguar për të kaluar kohën”? - pyet Monku.
“Ndoshta është e pamundur t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, por së paku ato duhet të na bëjnë të reflektojmë për faktin se Tapiceria e Bajosë ekziston vetëm falë punës së shkathët dhe inteligjente të grave”.
Tapiceria origjinale ka ardhur në Angli pas një mijë vjetësh dhe do të ekspozohet nga shtatori në Londër
(Foto: Getty Images)
Ishte ndjeshmëria viktoriane ajo që, në fund, do ta zbuste një pjesë të maskilizmit të tapicerisë origjinale. Në një kopje besnike, të krijuar në vitin 1885 nga një grup prej 35 grash që i përkisnin Shoqatës Lik të Qëndisjes (aktualisht e ekspozuar në Muzeun e Redingut), ushtritë që përparojnë janë ende plot me burra, por organet e stërmëdha të kuajve janë tërhequr. Siç mund të pritej, burri lakuriq me organet jashtëzakonisht të mëdha gjenitale, i cili imitonte priftin në bordurë, në versionin e ri paraqitet i veshur me pantallona të shkurtra.
Por, më e rëndësishmja, duke shtuar një bordurë tjetër ku secila qëndistare qëndisi emrin e saj, versioni i vitit 1885 nderoi krijueset dhe pohoi praninë e grave. Siç vëren Ramirez: “Ndërsa askujt nuk do t’i shkonte ndër mend të diskutonte për Natën me yje pa përmendur Van Goghun ... shumë pak veta i fillojnë diskutimet për Tapicerinë e Bajosë duke menduar për gratë që e krijuan atë”. /Telegrafi/


