Please enter at least 3 characters.

Mashtrimet me “beta GTA 6”- instalime dhe aplikacione të rreme po i rrezikojnë lojtarët

Entuziazmi për Grand Theft Auto VI (GTA 6) po shfrytëzohet nga kriminelët kibernetikë për të mashtruar lojtarët, duke i joshur me premtime për “beta” të hershme dhe shkarkime të video-lojës që nuk ekzistojnë.

Sipas paralajmërimeve të ekspertëve të sigurisë, në internet po qarkullojnë faqe, aplikacione dhe instalues të rremë që pretendojnë se ofrojnë qasje të hershme në video-lojë.

Në realitet, ato shpesh përmbajnë programe të dëmshme (malware), që mund të vjedhin të dhëna personale ose të infektojnë pajisjet e përdoruesve.

Mashtruesit përdorin interesin e madh për GTA 6 për të krijuar faqe phishing, aplikacione për Android dhe instalues për PC që duken të besueshme, por që në fakt nuk kanë lidhje me Rockstar Games.

Ekspertët theksojnë se nuk ekziston asnjë “beta” zyrtare e GTA 6 dhe asnjë version i hershëm i video-lojës nuk është i disponueshëm. Çdo ofertë që pretendon të japë qasje të tillë duhet të trajtohet si mashtrim.

Qëllimi i këtyre sulmeve është kryesisht vjedhja e të dhënave të përdoruesve, përfshirë llogaritë e video-lojërave dhe informacionet financiare. /Telegrafi/