Marcos Rojo nënshkruan me Racing, por klubi i ndalon të përdorë mbiemrin e tij në fanellë
Ish-mbrojtësi i Manchester United, Marcos Rojo, është “ndaluar” të përdorë emrin e plotë në fanellën e tij te klubi i ri, për shkak të një kuptimi të fshehur që ka mbiemri i tij në kontekstin e rivalitetit futbollistik.
Pas një periudhe me pak minuta te United, Rojo u huazua gjatë sezonit 2019/20 te Estudiantes, në vendlindjen e tij në Argjentinë, aty ku edhe kishte nisur karrierën si i ri.
Në shkurt të vitit 2021, ai iu bashkua Boca Juniors, ku shënoi 11 gola në 133 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Tashmë, në moshën 35-vjeçare, Rojo ka bërë një tjetër hap në karrierë duke firmosur me Racing Club, klub me seli në Avellaneda, me një kontratë njëvjeçare.
Tradicionalisht, në fanellat e tij Rojo ka përdorur emrin e plotë “Marcos Rojo”. Por në fanellën e tij të Racing Club, emri shfaqet vetëm si “Marcos R”, ndërsa mbiemri “Rojo” mungon tërësisht.
Arsyeja? Është rivaliteti i ashpër mes Racing Club dhe Independiente, dy klube që ndajnë të njëjtin qytet.
Independiente, kundërshtarët historikë të Racingut, njihen me nofkën “Rojo” (të kuqtë).
Për këtë arsye, klubi nuk ka lejuar që një lojtar i tyre të mbajë këtë fjalë, edhe pse është mbiemri i tij në fanellë./Telegrafi/


