Please enter at least 3 characters.

Manipulimet  me patentë-shoferë, Basha mirëpret arrestimin e ekzaminerit të Ministrisë

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se katër persona janë arrestuar sot nga organet e rendit, nën dyshimet për përfshirje në vepra penale si marrje ryshfeti, falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare në procesin e pajisjes me patentë-shoferë.

Sipas tij, në mesin e të arrestuarve ndodhet edhe një ekzaminere e angazhuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Basha ka mirëpritur aksionin e autoriteteve, duke theksuar se ministria që ai drejton është e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.

Ai ka ritheksuar përkushtimin institucional për luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, me synimin për të garantuar integritet, transparencë dhe rritje të besimit të qytetarëve në institucionet publike./Telegrafi/