Please enter at least 3 characters.

Macroni ka të drejtë - e kemi humbur mirësjelljen

Michael Deacon

Nga: Michael Deacon / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Nuk është kurrë e lehtë të pranosh se francezi ka të drejtë për diçka - sidomos nëse ai francez ndodh të jetë Emmanuel Macroni. Por, në këtë rast, kam frikë se nuk kemi zgjidhje. Çfarëdo dallimesh politike që mund të kemi me presidentin e padurueshëm dhe tmerrësisht mendjemadh të Francës, duhet të pranojmë se këtë javë ai bëri diçka që çdo njeri i ndershëm dhe me mendim të drejtë duhet ta duartrokasë.

Ai urdhëroi një tufë idiotësh egoistë dhe të pavëmendshëm të mësonin disa sjellje elementare.

Pa dyshim, ai nuk e shprehu kaq troç. Por, ky ishte padyshim thelbi. Teksa merrte pjesë në një samit ndërkombëtar në Keni, presidenti Macron u lodh aq shumë nga fakti që anëtarët e audiencës po i mbysnin fjalimet me muhabetet e tyre, saqë u hodh në skenë dhe u tha të heshtnin ose të largoheshin.

“Kjo është mungesë totale respekti,” tha ai me nervozizëm. “Nëse doni të keni takime dypalëshe ose të flisni për diçka tjetër, keni dhoma për takime dypalëshe, ose dilni jashtë. Nëse doni të qëndroni këtu, dëgjoni.”

- YouTube

Mirë ua bëri. Në fakt, sa më përket mua, ai do të ishte shumë i mirëpritur të vinte në Britani dhe të na jepte edhe neve të njëjtin qortim të merituar. Sepse e vërteta e trishtueshme është se sjelljet elementare po zhduken edhe këtu.

Jam i sigurt se të gjithë e kemi vënë re këtë, edhe nëse nuk i ndjekim rregullisht samitet ndërkombëtare. Njerëzit tani flasin në kinema ndërsa të tjerët po përpiqen të shohin filmin. Flasin në biblioteka ndërsa të tjerët po përpiqen të lexojnë. Madje flasin edhe në koncertet roku sa herë që grupi fillon një baladë delikate akustike.

Ky shembull i fundit nuk është vetëm irritues, por edhe i pakuptueshëm. Nëse këta budallenj duan vetëm të bisedojnë me miqtë e tyre, pse kanë paguar aq shtrenjtë për të ardhur në një koncert në vend që të shkonin në kafene? Kjo do t’u kishte kursyer mjaft para si dhe kohën e gjithë të tjerëve. Por, ndoshta nuk e kuptojnë këtë, sepse nuk janë vetëm të pasjellshëm, por edhe budallenj.

Ndërkohë, udhëtimet me transport publik janë bërë një formë e torturës dëgjimore, falë pranisë së pashmangshme të idiotëve që lëshojnë muzikë me volum të lartë ose shikojnë seriale pa kufje. Detyrohesh të vendosësh kufjet e tua vetëm për të neutralizuar zhurmën e atyre që refuzojnë t’i përdorin.

Kjo lloj shpërfilljeje totale për pasagjerët e tjerë do të kishte qenë i paimagjinueshëm për brezat e mëparshëm. Merrni parasysh këtë shembull. Faqet hapëse të Xhilit [Jill], roman i Philip Larkinit i botuar në vitin 1946, përshkruajnë protagonistin mashkull 18-vjeçar duke mbetur i uritur gjatë një udhëtimi me tren. Pse? Sepse shqetësohet se, nëse përpara pasagjerëve të tjerë ha ushqimin që kishte marrë me vete, ata mund ta konsiderojnë si të “pasjellshëm”. Paramendoni një të ri sot që do të ndiente njëfarë ngurrimi të tillë. As që bëhet fjalë. Ai do të ishte duke gëlltitur pa turp mish KFC-ja ndërsa do ta detyronte të gjithë vagonin të dëgjonte shpuesen [drill] - e kam fjalën për nënzhanrin e hip-hopit, jo për veglën e punës, megjithëse kjo e fundit do të ishte më melodike.

Pra, çfarë e shpjegon këtë rënie të qartë të etikës? Mund të ketë shumë përgjigje, disa prej të cilave janë të dukshme: edukim i dobët nga prindërit, mungesë disipline në shkolla, humbje e përgjithshme e respektit për autoritetin. Por, dua të veçoj dy të tjera.

E para është se teknologjia e shekullit XXI na ka kushtëzuar të jemi shumë më të përqendruar te vetja. Si rezultat i të ngulitjes së syve gjatë gjithë ditës tek ekranet, bota e internetit është bërë më e rëndësishme për ne sesa bota reale - dhe, si rrjedhojë, edhe sesa njerëzit realë përreth nesh. Kjo do të thotë se, edhe kur nuk po shohim në ekran, nuk ndiejmë më ndaj tyre të njëjtat detyrime si dikur. Kështu sillemi sikur mezi e kemi vënë re që ata janë aty.

Shpjegimi i dytë është se, si shoqëri, jemi shumë më pak të bashkuar. Në epokën multikulturore, ndiejmë se kemi më pak gjëra të përbashkëta me ata që nuk i njohim tashmë. “Sjelljet e mira” dikur konsideroheshin pjesë thelbësore e identitetit tonë kombëtar. Por, tani që nuk kemi më një ide të qartë se cili është identiteti ynë kombëtar, edhe ajo pjesë thelbësore është zbehur.

Në një farë mënyre është ironike. E vetmja gjë për të cilën Sir Keir Starmeri duket se pendohet nga kryeministria e tij është fjalimi ku tha se rrezikonim të bëheshim “ishull i të huajve”. Megjithatë, ato janë pothuajse të vetmet fjalë të vërteta që ai ka thënë ndonjëherë.

Gjithsesi, sado që e admiroj ndërhyrjen e presidentit Macron këtë javë, nuk besoj se do të ishte gjë e zgjuar që ndonjëri prej nesh të ndiqte shembullin e tij këtu. T’u kërkosh diplomatëve të heshtin është një gjë. T’i kërkosh heshtje një rrugaçi në autobus është diçka tjetër. Ai ka shumë më pak gjasa të bindet dhe shumë më tepër gjasa të jetë i rrezikshëm. Nëse përpiqesh ta heshtësh, ai fare lehtë mund të të heshtë ty. /Telegrafi/