Please enter at least 3 characters.

Lulzim Basha është ndryshe!

Zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri po i afrohen pikës së tyre më të nxehtë. Ndërsa beteja për çdo qytet e njësi bashkiake është shumë e fortë, padyshim vëmendjen tonë më së shumti e nxit përballja për Tiranën.

Lulzim Basha apo Edi Rama? Koncepti i politik bërjes moderne shqiptare të shekullit 21 të cilin e përfaqëson Lulzim Basha apo koncepti i një politike konflikutoze si vazhdimësi e një mendësie të vjetër të cilën e përfaqëson Edi Rama?

Ndonëse z. Rama në rrugën e tij për në krye të PS e përdori sloganin e politikës së re kundër asaj të vjetrës (Rama vs Nano), në zgjedhjet e 8 majit 2011, z. Rama e gjen veten pikërisht në atë politikë të vjetër të konfliktit dhe të refuzimit të çdo zhvillimi politik e ekonomik që ka njohur Shqipëria në këto vite, vetëm pse këto përparime janë bërë nën lidershipin e të djathtës shqiptare.

Në të vërtet që nga Lufta e Dytë botërore e këtej e djathta shqiptare ka qenë ajo forcë dhe ide politike që më së miri e ka artikuluar konceptin politik e nacional të shqiptarëve gjithandej në trojet shqiptare duke lidhur aleanca politike me demokracitë perëndimore që krahas luftës kundër fashizmit njëkohësisht ishin kundër komunizmit si koncept politik e qeverisës. Për fatkeqësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, komunizmi sundoi në Shqipëri për 50 vite. Orientimi properëndimor i shqiptarëve nuk u harrua nga këta miq perëndimor të cilët asnjëherë nuk e braktisën popullin shqiptar. 50 vite më pas, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës (në Kosovë) dhe Dr. Sali Berishës (në Shqipëri), Shqiptarët më në fund hoqën prangat e komunizmit dhe u bashkuan me familjen e popujve të lirë.

Unë dua që në këtë shkrim të përmend të arriturat e të djathtës shqiptare gjatë këtij mandati qeverisës; që është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO; liberalizimi i vizave; në aspektin ekonomik, rritja e vazhdueshme ekonomike e Shqipërisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i mirëqenies së qytetarëve, që ne Kosovarët e vërejmë sa herë që vizitojmë Shqipërinë. Shqipëria është vendi nr 1 në botë i rekomanduar për tu vizituar nga turistët këtë vit. Sigurisht që një e arritur e Shqipërisë që mbeti peng dhe ende pa u realizuar është statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kjo u pengua pikërisht nga Edi Rama dhe kokëfortësia e tij, insistimi i tij për protesta dhe bllokim e bojkotim të Kuvendit të Shqipërisë, nga të cilat më e rënda ishte organizimi dhe nxitja e protestuesve për të hyrë më forcë dhe për të dhunuar institucionet legjitime të dala nga vota e popullit.

Z. Basha, është në qendër të këtyre zhvillimeve të mëdha që Shqipëria njohu në fillim të këtij shekulli. Ai ishte ministër i transporteve që mbikëqyri ndërtimin e rrugës së Kombit, idesë së lansuar fillimisht nga Dr. Ibrahim Rugova, si realizim i ëndrrës së të gjithë shqiptarëve. Vërtet që kjo rrugë më bënë të ndihem krenar për kombin tim. Si ministër i punëve të brendshme, ai mbikëqyri drejtpërsëdrejti procesin e liberalizimit të vizave si hap i rëndësishëm drejt bashkimit të shqiptarëve në familjen e popujve të lirë të Evropës. Në tërë këto procese z. Basha u shfaq si një politikan i përkushtuar për të arritur ato objektiva nacionale që i kishte marrë si mandat nga sovrani në dy palë zgjedhje. Z. Basha përfaqëson atë shtresë të rinisë shqiptare, kudo qoftë ajo, që përpiqet fortë për të punuar e për tu shkolluar jashtë vendit, por që objektiv dhe ideal kanë të mbështesin familjet e tyre, vendin e tyre dhe një ditë të kthehen dhe të prosperojnë në atdheun e tyre.

Në fushatën e tij për Tiranën, z. Basha ka vendosur në qendër të programit të tij qytetarin e Tiranës. Preokupimet e tyre ditore, nevojën e tyre për shkolla më të mira, vende pune për të rinjtë, parqe, ambient të pastër e kujdes për të moshuarit. Një qeverisje ndryshe për Tiranën. Nga ajo që e përcjell në kronikat zgjedhore por edhe nga ajo që kam parë personalisht, të rinjtë e Tiranës janë përkrahësit më të fuqishëm dhe pjesa më e bukur e fushatës së z. Basha. Sepse, z. Basha është ndryshe. Ai përfaqëson konceptin e ri të politik bërjes, modelin e politikanit që duhet ndjekur të rinjtë. Nuk është e rastësishme që sot në faqen e tij sociale në Facebook z. Basha ka mbi 225,000 mbështetës. Nga këta afër 500 janë vetëm nga miqtë e mi virtual nga Kosova. Por jam i bindur që z. Basha ka dhjetëra e mija mbështetës tjerë nga Kosova, Maqedonia e nga diaspora. Ky fakt tregon për mbështetjen e madhe që gëzon z. Basha. Po ashtu kjo tregon edhe për orientimin e të rinjve shqiptar gjithandej trojeve shqiptare për të pasur një model të ri të politikë bërësve e politikanëve mbi parime të dëshmuara sigurisht.

Shpresoj e besoj që kjo përkrahje për z. Basha do të përkthehet në një fitore inspiruese për Tiranën dhe për Shqipërinë.

(Autori është Kryetar i Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës)