Please enter at least 3 characters.

Luleshitësi i famshëm botëror zbulon si ta bëni buqetën të zgjasë më shumë: Ka edhe një truk me akull

Përdorimi i ushqimit për lule e zgjat freskinë e tyre, ndërsa mund të blihet në luleshitëse ose të përgatitet në shtëpi

Dëshironi që buqeta t’jua zbukurojë hapësirën sa më gjatë, por ajo megjithatë ka afatin e vet të qëndrueshmërisë. Lajmi i mirë është se ky afat nuk ka pse të jetë i shkurtër dhe mund të zgjatet me disa veprime të thjeshta.

Si ta bëni buqetën të zgjasë më shumë, e shpjegon luleshitësi i njohur botëror Seo Rae Kim, i cili merret me këtë profesion prej më shumë se 30 vjetësh. Ajo që nisi si punë për të mbajtur familjen, me kalimin e kohës u shndërrua në pasion për të sjellë gëzim në jetën e të tjerëve përmes luleve.

Si të kujdeseni për lulet e prera

“Lulet janë në vetvete një vepër e bukur dhe unike arti”, thotë Kim.

Sipas tij, ato kanë fuqinë ta gëzojnë këdo me bukurinë e tyre dhe t’i sjellin buzëqeshje në fytyrë në çdo moment.

Me dekada përvojë në luleshitësi, Kim është personi i duhur për të këshilluar si të zgjidhni lulet më të freskëta dhe si t’i mbani sa më gjatë të bukura në vazo.

Mos nxitoni gjatë zgjedhjes

Çdo lule e prerë dhe çdo buqetë është e ndryshme, prandaj është e rëndësishme të merrni kohë dhe të zgjidhni me kujdes.

“Kur blejnë lule, njerëzit shpesh zgjedhin sytha plotësisht të mbyllur, duke menduar se do të zgjasin më shumë në shtëpi, por kjo nuk është gjithmonë e vërtetë”, thotë Kim.

Sipas tij, më mirë është të zgjidhen lule me sytha paksa të hapur, sepse ekziston mundësi më e madhe që sythat krejtësisht të mbyllur të mos hapen kurrë ose të jenë më të vështirë për t’u mbajtur gjatë.

Pavarësisht nëse i blini në luleshitëse apo në dyqan, Kim këshillon t’i kontrolloni me kujdes, sidomos petalet dhe të shihni nëse ka shenja vyshkjeje, njolla kafe apo tharje, trasnmeton Telegrafi.

Përdorni ushqim për lule

Buqeta zakonisht vjen me një qese të vogël pluhuri, të njohur si ushqim për lule. Kjo shtesë ndihmon që lulet të mbeten më gjatë të freskëta.

“Njerëzit duhet të kërkojnë ushqim për lule nëse nuk e kanë marrë bashkë me buqetën, sepse vërtet mund të bëjë dallim”, thotë Kim.

Përshtateni aranzhmanin sipas shijes suaj

Sipas Kim, nuk ka rregulla të prera kur bëhet fjalë për rregullimin e luleve. Më e rëndësishmja është të ndiqni ndjesinë tuaj dhe të krijoni diçka që ju pëlqen.

Kushtojini vëmendje temperaturës

Llojet e ndryshme të luleve kërkojnë kushte të ndryshme, por në përgjithësi nuk e durojnë mirë nxehtësinë.

“Temperaturat e larta bëjnë që lulet të vyshken më shpejt. Nëse nuk mund ta rregulloni temperaturën në hapësirë, ndërroni ujin çdo ditë dhe shtoni disa kube akulli”, këshillon Kim.

Ndërroni rregullisht ujin dhe pritni kërcejtë

Disa minuta në ditë për freskimin e ujit mund të bëjnë dallim të madh, sidomos nëse pritni pak pjesën e poshtme të kërcellit.

“Kërcejtë pritini pjerrtas, që uji të arrijë më lehtë deri te vetë lulja”, thotë Kim.

Mos jini shumë të ashpër me veten

Kim thekson se çdo dashamirës i luleve duhet ta pranojë ciklin natyror të jetës së bimëve dhe faktin se çdo lule është e ndryshme.

“Në momentin kur blini lule, duhet ta pranoni se ato janë qenie të gjalla me jetë të kufizuar. Mund t’i zbatoni të gjitha këshillat dhe të kujdeseni në mënyrë të përsosur, por ato sërish mund të vyshken më herët. Dhe kjo është në rregull”, përfundon Kim. /Telegrafi/