Lufta me Iranin u ka kushtuar bizneseve 25 miliardë dollarë deri tani
Lufta SHBA-Izrael me Iranin u ka kushtuar tashmë kompanive në të gjithë botën të paktën 25 miliardë dollarë - dhe fatura po rritet, sipas një analize të Reuters.
Një shqyrtim i deklaratave të korporatave që nga fillimi i konfliktit nga kompanitë e listuara në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi ofron një vështrim të thellë mbi pasojat.
Bizneset po përballen me çmimet në rritje të energjisë dhe rrugët tregtare të ndërprera nga kontrolli i Iranit në Ngushticën e Hormuzit.
Të paktën 279 kompani e kanë cituar luftën si një shkak për veprime mbrojtëse për të zbutur goditjen financiare, duke përfshirë rritjen e çmimeve dhe uljen e prodhimit, tregon analiza.
Të tjera kanë pushuar stafin nga puna, kanë shtuar tarifa shtesë për karburantin ose kanë kërkuar ndihmë emergjente qeveritare.
Trazirat - e fundit në një seri ngjarjesh globale shqetësuese për biznesin pas pandemisë COVID-19 dhe agresionit rus në Ukrainë - po i zbut pritjet për pjesën tjetër të vitit, me pak ndjesi se një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit do të jetë e afërt.
Bllokada e Iranit ndaj Ngushticës së Hormuzit - pika më kritike e energjisë në botë - i ka shtyrë çmimet e naftës mbi 100 dollarë për fuçi, më shumë se 50% më të larta se para luftës.
Mbyllja ka rritur kostot e transportit, ka pakësuar furnizimet me lëndë të para dhe ka prerë rrugët tregtare jetësore për rrjedhën e mallrave.
Gjithashtu, një e pesta e kompanive në shqyrtim - të cilat prodhojnë gjithçka, nga kozmetika te gomat dhe detergjentët, te operatorët e anijeve turistike dhe linjat ajrore - kanë raportuar një goditje financiare për shkak të luftës.
Linjat ajrore përbëjnë pjesën më të madhe të kostove të përcaktuara në lidhje me luftën, që përfaqësojnë gati 15 miliardë dollarë, me çmimet e karburantit që pothuajse janë dyfishuar.
Ndërsa bllokimi i ngushticës vazhdon, më shumë kompani nga industri të tjera po japin alarmin. /Telegrafi/


