Please enter at least 3 characters.

Llogaritë e (pa)bëra!

Tensionet që janë krijuar kohëve të fundit nga tërheqja e LDK-së nga koalicioni i madh qeverisës dhe mundësia qe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme mund të nxjerrin veç një fitues të madhe në këto zgjedhje, PDK-në!

Duke parë katrahurën që ka përfshirë LDK-në në garën për lider të partisë dhe fushata jo-formale agresive mediale në mes të dy aspirantëve për postin e liderit të kësaj partie, ish-Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Bujar Bukoshit, do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në humbjen e simpatisë së njerëzve të cilën kjo parti e ka gëzuar që sa kohë.

Në njërën anë ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, një diplomat pragmatik ka bërë veprën më të rëndë që mund të bëjë një politikan: shkeljen e Kushtetutës, edhe pse duhet të vlerësohet akti i tij i dorëheqjes, prapë ai mbetet një shkelës i Kushtetutës dhe vështirë është që një politikan i tillë të ketë besimin e elektoratit. Në anën tjetër Dr. Bukoshi, një person i shumëpërfolur, insiston se LDK ka harruar Rugovizmin dhe synon të bëjë një siç e quan ai iniciativë qytetare në frymën e Rugovizmit brenda LDK-së!!! Por meqenëse Bukoshi është kaq i vendosur të implementojë Rugovizmin dhe vlerat e Presidentit të ndjerë, ai po harron një gjë, se ishte vetë ai që u largua pas luftës nga LDK e udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova dhe nga vlerat e tij dhe formoi partinë e tij PrEK, e cila nga votuesit doli si një iniciativë e dështuar. Këto fakte do të kenë një ndikim jashtëzakonisht të madh për LDK-në në zgjedhjet e dhjetorit.

Në anën tjetër partia më e zëshme opozitare AAK, do ta ketë vështirë të bëjë diç të madhe në këto zgjedhje, duke marrë parasysh se lideri i tyre legjendar, për të cilin qytetarët edhe votojnë Ramush Haradinaj, gjendet në Hagë, ndërsa fytyrat e tjera që ka kjo parti disi janë të konsumuara dhe vështirë se do të arrijnë të japin atë impakt që Haradinaj di të jep elektoratit.

Duke ju shtuar këtyre fakteve edhe formimin e dy entitete të reja politika “Vetëvendosje” dhe “FER”, votat disi to shpërndahen. “Vetëvendosje”, që nga qarqe të caktuara ndërkombëtare cilësohet si lëvizje me radikale, gëzon popullaritet tek të rinjtë, ndoshta shumica edhe pa të drejtë vote, por kjo lëvizje mund të llogarisë shumë në votat e atyre të pakënaqurve që deri më sot nuk kanë votuar se s’para kanë gjetur një alternative idealiste për votën e tyre. Por mungesa e fytyrave qendrore publike, përveç liderit të tyre vizionar Albin Kurti, do t’i kushtojë kësaj lëvizje, duke konsideruar faktin se në Kosovë më shumë votohet për emra sesa për programe. Sa i përket FER, një parti politike shumë e lezetshme me fytyra publike, qasje perëndimore-urbanë dhe frymë rinore, mundë të llogarisë në vota nga qendrat urbane, sepse edhe pse nuk etikohet si e tillë në biseda të ndryshme kjo parti quhet si partia e të rinjve. Edhe pse ka personalitete publike të shkolluara jashtë vendit, FER do të ketë vështirësi të arrijë të dërgojë mesazhin e vet tek qendrat jo-urbanë në Kosovë, ku njerëzit s’para kanë dëgjuar për Institutin GAP apo KIPRED.

Ndërkohë që LDD e akademik Nexhat Dacit po mundohet të luajë rolin e Zvicrës, neutrale ndaj zhvillimeve në vend, s’para mund të ketë ngritje në elektorat duke ju falënderuar më shumë pasivitetit politik, jo vetëm të sajin po të gjithë opozitës. Ndërkaq që partia e të pasurve, AKR, ka filluar të luajë rolin e sugarit të PDK-së në mënyrë që në të ardhmen të jetë pjesë e marrëveshjeve politike të qeverisjes në vend. Kjo parti e inicioi mocionin e votëbesimit të PDK, një mocion që u mbështet edhe nga vetë deputet e PDK-së.

Duke marrë në konsideratë faktin se shumë vota të LDK-së do të humben nga ky shou medial i dy pretendenteve për postin e liderit dhe shkelja e kushtetutës nga ish-presidenti, mungesën e liderit të AAK-së, pasivitetin politik të LDD-së, dhe servilitetin e AKR-së, PDK mundë të llogarisë në votat e këtyre konkurrentëve politik dhe ndoshta kjo është edhe arsyeja e nxitimit të PDK-së që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, meqenëse ka pasur edhe shumë opsione politikë që zgjedhjet e jashtëzakonshme të evitohen dhe të shkohet në zgjedhjet e parakohshme të caktuara për shkurt. Por ky është një luks politikë që PDK-ja nuk dëshiron të i ikë nga duart. Siç duket llogaritë janë bërë dhe këto zgjedhje mund të sjellin vetëm një fitues…