Liverpooli përgatit ofertë marramendëse për Endrickun, Reali në dilemë për të ardhmen e brazilianit
Liverpooli është gati të bëjë një lëvizje konkrete për Endrickun, duke përgatitur një ofertë prej 65 milionë eurosh për sulmuesin brazilian, i cili aktualisht është pjesë e Real Madridit.
Klubi anglez e ka ndjekur prej kohësh situatën e 20-vjeçarit dhe synon ta transferojë atë para mbylljes së afatit kalimtar.
Interesimi i Liverpoolit nuk është i ri, pasi edhe gjatë muajit qershor ishte raportuar për një ofertë të mundshme, atëherë me një vlerë rreth 70 milionë euro.
Një ofertë prej 65 milionë eurosh do ta vendoste Real Madridin përballë një vendimi të rëndësishëm. Klubi madrilen investoi fillimisht 35 milionë euro për transferimin e Endrickut nga Palmeiras, ndërsa marrëveshja mund të arrinte deri në 60 milionë euro me bonuset.
Endricku u rikthye këtë verë në Madrid pas një periudhe huazimi te Olympique Lyon, ku kaloi pjesën e dytë të sezonit 2025/26.
Në Francë, sulmuesi arriti të gjejë vazhdimësinë e kërkuar, duke shënuar 8 gola dhe duke dhënë disa asistime.
Mourinho dëshiron ta mbajë në skuadër
E ardhmja e Endrickut lidhet edhe me planet e trajnerit Jose Mourinhos, i cili, sipas raportimeve, e sheh brazilianin si pjesë të skuadrës për sezonin e ri.
Mourinho e konsideron Endrickun një alternativë të vlefshme në repartin ofensiv dhe gjithashtu mund ta përdorë atë në krahun e djathtë, pozicion në të cilin braziliani ka luajtur edhe më herët.
Për këtë arsye, Real Madridi kishte frenuar mundësinë e një tjetër huazimi, pavarësisht interesimit nga klube si Roma dhe Aston Villa.
Megjithatë, një ofertë prej 65 milionë eurosh nga Liverpooli mund ta ndryshojë situatën.
Nëse propozimi konkretizohet, drejtuesit e Real Madridit do të duhet të peshojnë mes përfitimit të menjëhershëm financiar dhe potencialit të madh që Endricku mund të ketë në të ardhmen.
Nga ana tjetër, vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Madrid dhe për të luftuar për një vend në formacion.
Kështu, Liverpooli mund të rikthejë në tavolinë një nga dilemat më të mëdha të Real Madridit në këtë afat kalimtar: ta mbajë Endrickun si një investim për të ardhmen apo të pranojë një ofertë të majme dhe ta shesë brazilianin në Ligën Premier. /Telegrafi/


