Please enter at least 3 characters.

Limani tregohet i madh, refuzon gjithçka për t’i qëndruar besnik Dritës

2016/01/limani-tregohet-i-madh-refuzon-gjith-ccedil-ka-p-euml-r-t-rsquo-i-q-euml-ndruar-besnik-drit-euml-s_hd.jpg

Njëri ndër mbrojtësit më të mirë në vitet e fundit në futbollin kosovar, Ardian Limani, u ka treguar kolegëve të tij se dashuria ndaj klubit është mbi të gjitha.

Edhe pse rivali lokal Gjilani, i kishte bërë një ofertë të parefuzueshme në futbollin kosovar, Limani i refuzoi ata për t’i qëndruar besnik skuadrës së zemrës, Dritës, skuadër që e rriti deri në këtë moshë.

21-vjeçari ka vazhduar kontratën me Dritën edhe për këtë stinor, ndërsa flet për Telegrafin duke treguar arsyen e zgjatjes së kontratës me bardh e kaltërtit.

“Gjilani më ka bërë një ofertë jashtëzakonisht të mirë, por që në zemrën time ka vend vetëm për Dritën në futbollin kosovar”.

“Kam vazhduar me Dritën edhe për gjashtë muaj pastaj të shohim se çfarë do të bëjë, pasi synimi im është të luaj jashtë Kosovës”, thotë Limani për Telegrafin.

Ai u kërkua edhe nga Prishtina në dy vitet e fundit, por kishte oferta edhe në Shqipëri nga skuadrat si Teuta e Durrësit, Vllaznia e Shkodrës dhe Kukësi.

Në kohën kur Kukësi nisej për fazën përgatitore në Austri i ofruan kontratë djaloshit të artë qysh e thërrasin tifozët e Dritës, por ky përsëri vendosi t’i ndihmojë klubit të tij në barazh.

“Ishte koha kur Drita ishte duke luajtur në barazh dhe Kukësi më kërkonte. Natyrisht që vendosa të qëndroj te Drita për t’i ndihmuar në atë ndeshje të rëndësishme. Nuk mund t’ia kthej shpinën Dritës, skuadër që më ka rritur si futbollist dhe ma ka dhënë famën dhe emrin që kam sot. Dritës ia jam borxhli për gjithë jetën”, tha Limani, të cilit mendjen ia ndryshoi për të qëndruar edhe derbi i madh lokal që do të luhet në xhiron e parë mes Dritës dhe Gjilanit 95.

Talenti i madh gjilanas është pjesë e Përfaqësueses U21 të Kosovës, ndërsa në të ardhmen ka për qëllim që ta veshë fanellën e Përfaqësueses A të Kosovës.

Ndërkohë ndërmjetësuesi i këtij transferimi te Drita, Fisnik Kërçeli, e ka cilësuar transferimin e Limanit si më të rëndësishmin në karrierë.

“Prej se merrem me transferime të lojtarëve ky i Limanit te Drita ka qenë më i rëndësishmi dhe që më ka gëzuar më së shumti. Ka pasur djaloshi oferta të shumta por në fund zgjodhi dashurinë para parasë”, tha Kërçeli. /Telegrafi/

Posted by Ard Limani on 2014-03-03