Please enter at least 3 characters.

Liga Premier vazhdon rekordin, shpenzimet e transferimeve arrijnë nivelin më të lartë historik

Klubet e Ligës Premier kanë thyer rekordin historik të shpenzimeve në një afat kalimtar veror, duke investuar rreth 4.05 miliardë euro për transferime.

Futbolli anglez kishte kaluar tashmë shifrën e 3.5 miliardë eurove, por transferimi i Iliman Ndiaye nga Everton te Manchester City për rreth 70 milionë euro e çoi totalin përtej rekordit të mëparshëm prej rreth 3.68 miliardë eurosh, të vendosur 12 muaj më parë.

Pak pas mbylljes së afatit kalimtar u konfirmua edhe transferimi i Enzo Fernandez nga Chelsea te Manchester City për rreth 146 milionë euro, duke barazuar rekordin britanik për një transferim.

Vetëm në ditën e fundit të afatit kalimtar klubet e Ligës Premier shpenzuan rreth 556 milionë euro, krahasuar me rreth 457 milionë euro një vit më parë, raporton BBCSPORT.

Shifra totale është veçanërisht mbresëlënëse nëse krahasohet me pesë vite më parë, kur klubet angleze shpenzuan rreth 1.32 miliardë euro gjatë një vere.

Të dhënat tregojnë edhe një herë fuqinë e jashtëzakonshme financiare të Ligës Premier dhe aftësinë e klubeve angleze për të tërhequr lojtarët më të kërkuar në treg.

Klubet angleze dominojnë transferimet më të shtrenjta


BBC SPORT

Dominimi i Ligës Premier nuk shihet vetëm te shuma totale e shpenzuar.

Tre nga 10 transferimet më të shtrenjta në historinë e futbollit janë realizuar këtë verë, dhe të gjitha kanë përfshirë klube të kampionatit anglez.

Enzo Fernandez ishte transferimi më i shtrenjtë, me rreth 146 milionë euro, duke kaluar shifrën prej rreth 136 milionë eurosh që Manchester City pagoi për Elliot Anderson nga Nottingham Forest.

Chelsea, ndërkohë, shpenzoi rreth 137 milionë euro për Morgan Rogers nga Aston Villa.

Liverpooli investoi fillimisht rreth 124 milionë euro për Bradley Barcola nga Paris Saint-Germain, ndërsa marrëveshja mund të arrijë deri në rreth 144 milionë euro me bonuset.

Jashtë Ligës Premier, vetëm transferimet e Yan Diomande te Real Madridi dhe Anthony Gordon te Barcelona kanë kaluar deri tani shifrën e rreth 70 milionë eurove.

Tottenham me investime të mëdha

BBC SPORT

Tottenham ishte gjithashtu një nga klubet më aktive në afatin kalimtar.

Londinezët transferuan Sandro Tonalin për një shumë që mund të arrijë rreth 117 milionë euro, ndërsa investuan rreth 99 milionë euro për Mateus Fernandes nga West Ham.

Tottenham gjithashtu pagoi rreth 88 milionë euro për Savio nga Manchester City, me shumën që mund të rritet deri në rreth 99 milionë euro.

Manchester City shpenzoi rreth 100 milionë euro për Ayyoub Bouaddi nga Lille, ndërsa Arsenal transferoi Bruno Guimaraes për rreth 88 milionë euro.

Manchester United, ndërkohë, siguroi mesfushorin kamerunas Carlos Baleba nga Brighton për rreth 82 milionë euro.

Dominimi anglez bëhet edhe më i qartë në listën e 20 transferimeve më të shtrenjta të kësaj vere, ku vetëm gjashtë prej tyre nuk kanë përfunduar te klube të Ligës Premier.

Madje, Ipswich Town ka shpenzuar më shumë në përforcime se klube të njohura evropiane si Barcelona, Milani, Juventusi dhe kampioni në fuqi i Evropës, PSG.

Manchester City kryeson me mbi gjysmë miliardi euro

Transferimi i Enzo Fernandez e çoi shpenzimin total të Manchester Cityt në rreth 536 milionë euro, duke vendosur një rekord të ri të Ligës Premier për shpenzimet e një klubi në një afat të vetëm kalimtar.

City ka kaluar kështu rekordin e Liverpoolit prej rreth 486 milionë eurosh, të vendosur verën e kaluar.

Megjithatë, klubi nga Mançesteri ka realizuar gjithashtu shitje të rëndësishme, duke arkëtuar rreth 356 milionë euro nga largimet e lojtarëve.

Chelsea renditet i dyti për shpenzime, me rreth 408 milionë euro, ndërsa ka shitur lojtarë në vlerën e rreth 447 milionë eurove, duke e mbyllur afatin kalimtar me një bilanc pozitiv prej rreth 39 milionë eurosh.

Tottenhami është klubi i tretë me shpenzimet më të mëdha, me rreth 353 milionë euro, teksa synon të rikthehet në garën për kreun e Ligës Premier.

Ipswich shpenzon më shumë se Manchester United

Një nga surprizat e këtij afati kalimtar veror është Ipswich Town.

Klubi i sapongjitur në Ligën Premier ka investuar rreth 200 milionë euro në përforcime, në përpjekje për të shmangur një rikthim të menjëhershëm në Championship.

Kjo shifër është më e lartë edhe se ajo e Manchester United, që ka shpenzuar rreth 173 milionë euro për lojtarë të rinj.

Ndërkohë, Hull City zhvilloi një afat kalimtar tejet aktiv, duke afruar plot 18 lojtarë të rinj, gjashtë prej tyre vetëm në ditën e fundit të afatit kalimtar.

11 klube thyen rekordet e tyre

Fuqia financiare e Ligës Premier u reflektua edhe te rekordet individuale të klubeve.

Plot 11 nga 20 klubet e kampionatit anglez thyen rekordin e tyre për transferimin më të shtrenjtë gjatë kësaj vere, ndërsa gjashtë prej tyre e bënë këtë më shumë se një herë.

Coventry ishte rasti më i jashtëzakonshëm, duke vendosur rekord të ri të klubit katër herë gjatë afatit kalimtar.

BBC SPORTtelegrafi.com

Aston Villa dhe Ipswich gjithashtu thyen rekordet e tyre në më shumë se një rast.

Ndërkohë, James Trafford te Leeds, Mamadou Sangare te Brentford, Luka Vuskovic te Brighton dhe Liam Delap te Nottingham Forest ishin të gjithë transferime mbi 47 milionë euro, duke vendosur rekorde të reja për klubet përkatëse.

Liga Premier po blen gjithnjë e më shumë nga vetja

Një tjetër statistikë interesante e kësaj vere është rritja e transferimeve brenda vetë Ligës Premier.

Rreth 35 për qind e marrëveshjeve me pagesë janë realizuar nga një klub i Ligës Premier te një tjetër, krahasuar me 30 për qind një vit më parë.

Në rastet kur klubet angleze kanë blerë lojtarë nga nivelet më të ulëta të futbollit anglez, kjo shifër shkon në 44 për qind.

Ndërkohë, shpenzimi neto i Ligës Premier mbetet mbi 1.17 miliardë euro, shumë më tepër se çdo kampionat tjetër evropian.

Përveç Barcolas dhe Bouaddit, të ardhur nga Franca, pjesa më e madhe e transferimeve të mëdha të kësaj vere kanë ardhur nga rivalë të drejtpërdrejtë në Ligën Premier.

Newcastle shiti Tonalin te Tottenham dhe Guimaraes te Arsenali, ndërsa Manchester United transferoi Balebën nga Brighton pas një ndjekjeje të gjatë.

Pse klubet angleze po blejnë nga njëra-tjetra?

Një nga arsyet kryesore është siguria që ofrojnë lojtarët tashmë të provuar në Ligën Premier.

Disa nga transferimet e shtrenjta të sezonit të kaluar, veçanërisht ato nga Bundesliga, nuk arritën të përmbushnin pritshmëritë dhe të justifikonin çmimet e larta të paguara për ta.

Në të njëjtën kohë, ka pasur edhe marrëveshje mes klubeve që mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në aspektin financiar dhe të bilanceve.

Një tjetër faktor është se klubet jashtë Anglisë shpesh kërkojnë tarifa më të larta kur në garë hyjnë klubet e Ligës Premier, duke e ditur fuqinë e madhe financiare që klubet angleze kanë falë të ardhurave nga të drejtat televizive.

Rreth 4.05 miliardë euro të shpenzuara në një verë e konfirmojnë edhe një herë dominimin financiar të Ligës Premier në tregun e transferimeve. /Telegrafi/