Lëvizjet për formimin e institucioneve, sot nuk pritet të ketë takime të reja
Takimet e fundit mes liderëve politikë kanë krijuar një dinamikë të re në përpjekjet për formimin e institucioneve, me sinjale se Lidhja Demokratike e Kosovës ka shtuar interesimin për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion.
Pas kontakteve të zhvilluara ditëve të fundit, palët kanë lënë të hapur mundësinë për vazhdimin e bisedimeve në ditët në vijim, ndërsa ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.
Telegrafi mëson nga burime brenda partive se gjatë ditës së sotme nuk pritet të ketë takime të reja mes liderëve politikë, megjithatë kjo nuk nënkupton që bisedimet nuk pritet të të vazhdojnë në një moment tjetër.
Të premten kryeministri në detyrë Albin Kurti priti në takime të ndara Lumir Abdixhikun, kryetar i LDK-së bashkë me Vjosa Osmanin dhe kryetarin e PDK-së Bedri Hamzën, në periudhën kur ka filluar rrjedhja e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti e përshkroi procesin e bisedimeve si “një ndërmarrje të madhe e të gjerë”. Abdixhiku, ndërkaq, tha se koha kur bisedimet kanë nisur, i “jep shpresë” për rezultate.
Deri më 7 gusht deputetët kanë kohë për të konstituuar kuvendin – që nënkupton zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve.
E nga konstituimi fillon të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025. /Telegrafi/


