Please enter at least 3 characters.

Lëshuan fushën në finale - Senegali dhe trajneri i tyre marrin dënime të mëdha

Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) e ka dënuar trajnerin e Kombëtares së Senegalit, Pape Thiaw, me pezullim prej pesë ndeshjesh dhe gjobë në vlerë prej 100 mijë dollarësh (rreth 83.500 euro), pas incidenteve të ndodhura në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës (AFCON) kundër Marokut.

Senegali triumfoi 1-0 pas kohës shtesë në një finale të tensionuar, e cila u shoqërua me polemika dhe incidente të shumta. Me nxitjen e trajnerit Thiaw, disa lojtarë senegalezë u larguan përkohësisht nga fusha në shenjë proteste ndaj vendimit të gjyqtarit, i cili – me mbështetjen e VAR-it – akordoi një penallti të diskutueshme në favor të Marokut në fund të kohës së rregullt.

Situata u përshkallëzua edhe më tej, pasi tifozë të zemëruar senegalezë tentuan të hynin në fushë, duke krijuar kaos në stadium. Megjithatë, penalltia e gjuajtur nga Brahim Diaz u humb, ndërsa lojtarët e Senegalit u rikthyen në fushë për të vazhduar ndeshjen, duke e fituar atë në kohën shtesë.

Komiteti Disiplinor i CAF e dënoi Thiawn për “sjellje josportive, shkelje të parimeve të lojës së ndershme dhe integritetit, si dhe dëmtim të imazhit të futbollit”, bëri të ditur federata afrikane.

Jehona e skandalit

Përveç pezullimit të trajnerit, Shoqata Senegaleze e Futbollit u ndëshkua edhe me një gjobë totale prej 615 mijë dollarësh.

Sipas CAF, ky dënim lidhet me “sjelljen e papërshtatshme të tifozëve, e cila dëmtoi imazhin e futbollit”, “sjelljen josportive të lojtarëve dhe stafit teknik, që shkeli parimet e lojës së ndershme, besnikërisë dhe integritetit”, si dhe “shkeljet disiplinore të ekipit kombëtar, ku pesë lojtarë u ndëshkuan me kartonë”.

Vendimi i CAF ka shkaktuar reagime të shumta dhe mund të ketë pasoja për Senegalin edhe në garat e ardhshme ndërkombëtare. /Telegrafi/