Lekaj: Shtyrja e vendimit për Haradinajn, kryekëput për interesa politike të Serbisë
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se shtyrja e vendimit ndaj Ramush Haradinajt, është kryekëput për interesa politike të Serbisë.
“Vazhdimi i mohimit për t'iu kthyer Kosovës dhe angazhimit për të, për Ramushin është vendim kryekëput për interesa politike të Serbisë. Në këtë kuptim e shohim që kjo ‘pengmarrje’ e z.Haradinaj ndërlidhet me temat që sot janë shumë aktuale dhe që janë të dëmshme për të tashmen dhe të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Lekaj për Telegrafin.
Ai tutje ka thënë se një gjë të tillë e shohin si fyerje edhe ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Për ne këto gjëra janë të papranueshme dhe si të tilla i shohim si fyerje për luftën tonë Çlirimtare. Ramushi duhet të marrë lirinë e merituar sepse për të ka dhënë gjithçka, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj, njëjtë po bënë edhe sot”, u shpreh Lekaj.
Gjykata në Colmar të Francës sot ka vendosur që ta shtyjë edhe për një muaj vendimin për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Vendimi do të merret më 6 prill./Telegrafi/


