Please enter at least 3 characters.

Legjenda e Spartakut të Moskës i del në krah Mirlind Dakut pas reagimeve të tifozëve

Transferimi i mundshëm i Mirlind Dakut te Spartak Moska vazhdon të shkaktojë reagime të shumta në Rusi, edhe pse marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar.

Grupi i tifozëve të Spartakut, “Crazy North”, është shprehur kundër afrimit të sulmuesit shqiptar nga Rubin Kazani, duke publikuar më herët një deklaratë me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.

Megjithatë, ndaj këtij qëndrimi ka reaguar ish-lojtari i Spartakut, Andrei Tikhonov, i cili ka kërkuar që futbolli të ndahet nga politika dhe se klubi duhet të fokusohet te nevojat sportive.

Tikhonov ka theksuar se Spartaku ka nevojë për një sulmues dhe se ardhja e Dakut do të ishte një përforcim i rëndësishëm për skuadrën.

“Për momentin, Spartaku ka nevojë për një sulmues. Do t’i japin një pagë. Për të është një bekim që i bashkohet Spartakut, një ekipi që luan mirë. Është futboll, vëlla”, ka thënë Tikhonov në kanalin YouTube.

Daku është pranë transferimit te një prej klubeve më të mëdha në Rusi, pasi sipas raportimeve nga mediat ruse, Spartak Moska ka arritur marrëveshje me sulmuesin për kushtet personale dhe zyrtarizimi pritet së shpejti.

Sulmuesi 28-vjeçar largohet nga Rubin Kazani pas një periudhe të suksesshme, ku në 93 paraqitje ka shënuar 38 gola, duke u bërë një nga sulmuesit më produktivë të kampionatit rus.

Pavarësisht kundërshtimeve nga një pjesë e tifozëve, Daku tashmë shihet si një objektiv konkret i Spartakut, ndërsa klubi pritet të vendosë nëse do të vazhdojë me transferimin apo jo./Telegrafi/