Lavrov kritikon ashpër Vuçiqin për takimin me Zelenskyn: E papranueshme që vëllezërit tanë të financojnë Ukrainën
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka reaguar ashpër ndaj çdo mundësie që Serbia të përfshihet në financimin e Ukrainës, duke e cilësuar një hap të tillë si të papranueshëm për Moskën.
“Do të ishte e papranueshme nëse vëllezërit tanë serbë do të merrnin pjesë në financimin e Ukrainës”, është shprehur Lavrov, duke iu referuar raporteve për bashkëpunimin e Beogradit me Ukrainën dhe Bashkimin Evropian.
Lavrov ka komentuar edhe marrëdhëniet mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Sipas tij, Vuçiqi pranoi ta priste Zelenskyn vetëm për të zbutur atë që ai e cilësoi si “presion të paturpshëm” nga Bashkimi Evropian.
Kreu i diplomacisë ruse e ka ashpërsuar më tej retorikën ndaj Brukselit, duke deklaruar se “BE-ja tashmë është shndërruar në Rajhun e Katërt”.
Deklaratat e Lavrovit vijnë në një periudhë kur Serbia po përpiqet të ruajë marrëdhëniet e saj tradicionale me Rusinë, ndërsa njëkohësisht vazhdon rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndryshe, Vuçiq tha të shtunën se Beogradi do të mbështesë pavarësinë e Ukrainës dhe synon të përmirësojë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, por nuk dha asnjë zotim për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, aleatit të kahershëm të Serbisë. Kujtojmë se lideri ukrainas gjatë javës së kaluar ka zhvilluar një vizitë dyditore në Beograd. /Telegrafi/


