LASK fiton titullin në Austri pas 61 vitesh
LASK-u u kurorëzua kampion i Austrisë të dielën, për herë të parë që nga viti 1965. Skuadra nga Linzi e mposhti Austria Viennën me rezultat 3-0 në raundin e fundit, të 32-të, të Bundesligës austriake dhe, ashtu si 61 vjet më parë, e kompletoi edhe kurorën e dyfishtë.
Ky sukses i dha fund dominimit të gjatë në kampionat të Sturm dhe RB Salzburg. Sturm ishte kampion në dy sezonet e fundit, ndërsa Salzburg e kishte fituar titullin dhjetë herë radhazi.
Për trajnerin Dietmar Kühbauer, ky është kulmi i karrierës. 55-vjeçari mori drejtimin e LASK-ut në tetor të vitit të kaluar, kur ekipi ishte i parafundit në renditje, dhe e udhëhoqi drejt një triumfi historik. LASK tani numëron dy tituj kampioni dhe dy trofe të Kupës në historinë e klubit.
Tension në Vjenë dhe gola për historinë
Rreth 2.500 tifozë të LASK-ut udhëtuan në kryeqytetin austriak me shpresën për të qenë dëshmitarë të historisë. Edhe pse një barazim do t’i mjaftonte për titullin, atmosfera ishte e tensionuar, raporton ORF.
Austria Vienna ushtroi presion, por LASK u mbështet në një mbrojtje të fortë dhe priti momentin e tij. Goli i parë erdhi në minutën e 38-të, kur Xavier Mbuamba, pas një situate nga rivënia anësore, e dërgoi topin në rrjetë për 1-0, duke ndezur entuziazmin e tifozëve mysafirë.
Në minutën e 49-të u akordua penallti për LASK, pas faullit të portierit Sahin-Radlinger ndaj sulmuesit Sasa Kalajdzic. Samuel Adeniran ishte i saktë nga pika e bardhë për 2-0. Fitorja u vulos në minutën e 76-të, kur Melayro Bogarde shënoi për 3-0 dhe nisi festa e madhe e kampionëve.
Pasojat për garat evropiane
Me këtë rezultat, Sturm, që mposhti Rapidin 2-0, e mbylli sezonin në vendin e dytë. Të dy skuadrat do të kualifikohen në Ligën e Kampionëve, me LASK-un si kampion që nis nga faza eliminatore, dy hapa larg fazës së ligës.
Austria Vienna e mbylli sezonin në vendin e katërt dhe shmangu “play-off”-et për garat evropiane, ndërsa Rapidi do të duhet të hyjë në fazën eliminatore.
Wie heißt unser Meister? ASK!
Noch einmal, wie heißt er? ASK! pic.twitter.com/TOYHomVxnd
— LASK (@LASK_Official) May 17, 2026
Te LASK luan Art Smakaj, i cili vuan nga një lëndim në gju tash e një kohë të gjatë, nga shtatori i vitit 2025. /Telegrafi/


