Lajm sensacional nga Gjermania, Thiago Silva mund të transferohet në Bundesliga 2
Vetëm një natë pas konfirmimit të rënies së VfL Wolfsburg në Bundesliga 2, kanë nisur të qarkullojnë edhe zërat e parë të merkatos për sezonin e ardhshëm. Një nga emrat më befasues që lidhet me klubin gjerman është ai i veteranit brazilian Thiago Silva.
Sipas raportimeve të “kicker”, emri i ish-mbrojtësit të kombëtares braziliane i është ofruar drejtuesve të Wolfsburgut, edhe pse një transferim i tillë konsiderohet ende shumë i vështirë për t’u realizuar.
41-vjeçari ka një karrierë të jashtëzakonshme pas vetes, duke fituar Ligën e Kampionëve, tituj kampioni në Itali, Portugali dhe Francë, si dhe Kupën e Amerikës me Brazilin. Pavarësisht moshës, Silva duket se ende nuk po mendon t’i japë fund futbollit profesionist.
Pas humbjes dramatike 2-1 ndaj Paderborn në ndeshjen play-off për mbijetesë, Wolfsburgu pritet të kalojë një periudhë të madhe rindërtimi. Ende nuk është e qartë se çfarë strategjie do të ndjekë klubi në merkato dhe nëse emra me përvojë si Thiago Silva mund të bëhen pjesë e projektit të ri.
Në rast se realizohet ky transferim, atëherë Thiago Silva te Wolfsburgu do të ketë bashkëlojtar yllin e Kosovës, Elvis Rexhbecaj.
Megjithatë, braziliani nuk pritet të ketë mungesë ofertash. /Telegrafi/


