Please enter at least 3 characters.

Kuzeska: Mickoski me orë 60 mijë euro nuk mund ta ndjejë krizën me të cilën po përballen qytetarët

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, tha se Maqedonia po largohet rrezikshëm nga Bashkimi Evropian.

Për këtë fajëson politikat e këqija të kryeministrit Hristijan Mickoski.

Ajo drejtoi kritika të ashpra ndaj pushtetit aktual për, siç tha, bllokimin e vetëdijshëm të procesit eurointegrues. Sipas saj, refuzimi i vazhdueshëm i propozimit për referendum dhe bllokada politike po sjell pasoja serioze për qytetarët.

Sipas Kuzeskës, pushteti po paralajmëron pritje me dekada para dyerve të BE-së, ndërsa çmimi i këtij izolimi do të jetë shumë i lartë për shtetin. Ajo tha se faturën nuk do ta paguajnë politikanët, por qytetarët e zakonshëm. Në këtë kontekst, ajo e kritikoi Mickoskin për luksin personal, duke përmendur orën e tij të shtrenjtë prej 60.000 eurosh. Sipas saj, një kryeministër që mban një orë të tillë nuk mund ta ndjejë krizën me të cilën përballen qytetarët.

Kuzeska theksoi se vendi tashmë dy vjet po qëndron në vend në rrugën drejt BE-së, ndërsa qeveria merret me përplasje politike në vend të reformave konkrete. Ajo vlerësoi se pagat janë të ngrira, ndërsa çmimet në markete po rriten vazhdimisht. Sipas saj, Maqedonia nuk mund të mbështetet te fondet dhe mekanizmat mbrojtës që kanë vendet anëtare të BE-së, gjë që e rëndon edhe më shumë gjendjen ekonomike.

Sipas Kuzeskës, pasojat më të mëdha të kësaj situate i ndjejnë të rinjtë, të cilët po largohen masivisht drejt vendeve perëndimore. Ajo tha se gjeneratat që lindën kur Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për BE, sot janë të rritura dhe po e kërkojnë të ardhmen e tyre në vende si Kroacia dhe Zvicra. Sipas saj, rreth 25.000 punëtorë sezonalë tashmë punojnë jashtë vendit.

Ajo e kritikoi OBRM-PDUKM -në për propozime si ndërtimi i konvikteve studentore, duke pyetur se ku do të jetojnë dhe punojnë të rinjtë pas diplomimit. Sipas saj, emigrimi masiv është dëshmi e dështimit të sistemit aktual.