Please enter at least 3 characters.

Kuvendi Komunal i Rahovecit miraton raportin e dëmeve nga reshjet e shiut të janarit 2026

Kuvendi Komunal i Rahovecit ka miratuar sot raportin për dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut të datave 5, 6 dhe 7 janar 2026, pas përfundimit të një procesi të detajuar të vlerësimit dhe verifikimit të gjendjes faktike në terren. Raporti u miratua njëzëri nga anëtarët e Kuvendit Komunal.

Sipas njoftimit zyrtar, raporti është përgatitur në mënyrë profesionale dhe objektive, duke u bazuar në fakte konkrete dhe në gjendjen reale të konstatuar në terren nga komisionet komunale, pas kërkesave të paraqitura nga qytetarët e prekur.

Të dhënat dhe regjistrimet e përfshira në raport pasqyrojnë seriozitetin dhe korrektësinë e procesit të vlerësimit të dëmeve, duke ofruar një pasqyrë të qartë të ndikimit të reshjeve të shiut në pronat private dhe infrastrukturën publike.

Raporti do t’i përcillet Komisionit Qeveritar për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, me kërkesë që qytetarët e prekur të dëmshpërblehen nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, raporti që ka të bëjë me dëmet në infrastrukturën publike do t’i dërgohet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me qëllim sigurimin e përkrahjes për sanimin e dëmeve.

Komuna e Rahovecit ka shprehur mirënjohje për angazhimin e të gjithë atyre që kanë kontribuar në realizimin e këtij procesi. /Telegrafi/