Please enter at least 3 characters.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut largon mbishkrimin “I love Mitrovica”

Në seancën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut të mbajtur të hënën më 25.05.2026 u miratua që të largohet mbishkrimi “I love Mitrovica” i vendosur nga qeverisja e kaluar në krye me Erden Atiqin në një nga rrugët e kësaj pjese të qytetit.

Më 02.10.2025, ish-ekzekutivi kishte larguar mbishkrimin e mëhershëm cirilik “Kosovska Mitrovica”, duke u zëvendësuar me të riun, me zemër të gjelbër dhe stemë të Komunës.

Pika e cila u propozua nga Lista Serbe në seancën e sotme u përcoll me kundërshtime nga zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal, Aida Ferati-Doli, pasi sipas saj materiali i mbledhjes është dërguar me vonesë.

“Jam kundër këtij rendi të ditës, nuk mund të sjellim pika të rendit të ditës të cilat nuk kanë materiale bashkangjitur në e-mail tonë. Mirë që thirrët seancë këtë muaj sepse të kaluarin nuk keni thirrur fare”- tha ajo.

Derisa ajo po fliste, mikrofonin ia ndali kryesuesi, Ivan Zaporozaq.

“Nuk mundesh me ma ndalë fjalën, të paktën fjalën lejojeni. Materialet nuk po na sjellni, absolutisht asgjë s’po bëni. Të paktën fjalën mos na ndalni”- u shpreh Doli.

Ankesa që materiali u dërgua me vonesë dhe se kjo është e kundërligjshme pati edhe asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Emir Azemi, raporton Kallxo.

“Kjo është e kundërligjshme. Ligji e bën të qartë që materiali duhet të dërgohet disa ditë përpara. Nuk duhet që kuvendarët të vihen para aktit, të votojnë diçka që është e kundërligjshme. Jo të shtyhet seanca, por t’i heqim këto pika të rendit të ditës për të cilat nuk janë të përcjella materiali me kohë”- potencoi Azemi.

Edhe pse fillimisht kundërshtuan që kjo pikë të përfshihej në rendin e ditës së sotme, asamblistët nga iniciativa qytetare “Veriu për të gjithë”, Marko Jakshiq dhe Ivan Miletiq, si dhe asamblisti i Demokracisë Serbe, Ivan Orlloviq, me arsyetimin se kjo pikë nuk ishte përfshirë në materialet e dorëzuara, megjithatë votuan për miratimin e këtij vendimi.

Mëngjesin e 2 tetorit 2025, Komuna e Mitrovicës së Veriut, përkatësisht Drejtoria e Inspeksionit kishte larguar mbishkrimin “Kosovska Mitrovica” të shkruar me shkronja cirilike.

Aty u vendos një tabelë e re me stemën e Komunës.

“Po largohen shkronjat cirilike e po vendosen shkronjat latine si dhe logo e Komunës”- kishte thënë Visar Syla, shefi i kabinetit të Erden Atiqit.