Please enter at least 3 characters.

Kush janë prokurorët italianë që po hetojnë snajperistët që shkuan në Sarajevë për të vrarë civilë?

Zyra e Prokurorisë Publike në Milano ka nisur të hetojë një rrjet që gjatë viteve të luftës në Bosnjë organizonte me gjasë udhëtime për pasanikë perëndimorë drejt Sarajevës së rrethuar, shkruan revista gjermane “Der Spiegel”.

Ky hetim synon të dokumentojë veprimtarinë të ashtuquajturve “snajperistë të fundjavës”, të cilët shkonin në Sarajevë gjatë viteve 1990-të për të vrarë civilë nga pozicionet e serbëve.

Në Milano dy prokurorë po merren me rastin.

Ata quhen Marcello Viola dhe Alessandro Gobbis.

I pari ka përvojë në luftën kundër grupeve mafioze, i dyti ka fituar reputacion në ndjekjen penale të terrorizmit dhe spiunazhit.

Procedura hetimore, e koordinuar nga Viola dhe e drejtuar nga Gobbis, po shqyrton dyshimin se turistë lufte nga vendet perëndimore mund të kenë kryer “vrasje të shumëfishta për motive të ulëta” në kryeqytetin boshnjak.

Hetime kanë nisur edhe në Austri. Në Gjermani e Zvicër politikanët po kërkojnë po ashtu hetime.

Dritë të re mbi këtë çështje ka hedhur së fundmi dëshmia e një ish-diplomati të lartë italian, i cili ka shërbyer në Bosnjë gjatë viteve të 90-ta.

Bëhet fjalë për Michael Giffoni, i cili më vonë ka qenë ambasador i Italisë në Kosovë.

Sipas deklaratave të tij, të cilat tashmë janë pjesë e dosjes hetimore, Shërbimi Informativ dhe i Sigurisë Ushtarake i Italisë (SISMI) kishte dijeni të plotë dhe të dokumentuar për këto operacione makabre.

Diplomati ka pohuar se shërbimet sekrete italiane mblidhnin raporte të rregullta mbi lëvizjet e klientëve të pasur - kryesisht burra mbi moshën 50-vjeçare nga Italia, Franca, Zvicra dhe Austria - të cilët shkonin në Sarajevë për të kryer krime.

Përderisa prokurorët në Milano dhe Vjenë duan të shtyjnë përpara hetimet, në Bosnjë-Hercegovinë, sipas “Der Spiegel”, vërehet një ngurrim i theksuar institucional për shkak të ndarjeve të thella etnike. /Telegrafi/