Please enter at least 3 characters.

Kurti tregon ofertat për LDK-në dhe PDK-në: Refuzuan bashkëqeverisjen

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi duhet të shmangë zgjedhjet e reja dhe që Legjislatura e 10-të, e cila tashmë ka zgjedhur kryesinë e Kuvendit dhe Qeverinë, duhet ta zgjedhë edhe Presidentin.

Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Kurti ka thënë se zgjedhjet e reja do të ishin “të panevojshme” dhe do të sillnin humbje të kohës dhe të mjeteve buxhetore, duke përmendur se vetëm organizimi i tyre do t’i kushtonte Kosovës “së paku 10 milionë euro”, ndërsa bllokada institucionale do të rrezikonte edhe humbje të tjera financiare.

Ai ka theksuar se problemi kryesor mbetet kuorumi prej 80 deputetësh për zgjedhjen e Presidentit, duke argumentuar se zgjedhjet nuk do ta zgjidhnin këtë çështje dhe se rezultatet e një procesi të ri mund të ishin “pak a shumë të përafërta” me ato aktuale.

Kurti ka deklaruar se LVV ka fituar shumicën e votave dhe deputetëve dhe se vullneti i qytetarëve duhet të pranohet e respektohet. Sipas tij, LVV ka 51.1% të votave apo 57 deputetë, ndërsa mazhoranca e saj arrin në 66 deputetë.

Kryeministri ka bërë të ditur se u ka ofruar partive opozitare disa alternativa për tejkalimin e bllokadës.

"Kam bërë ofertë për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo ofertë përfshinte: postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri. U refuzua.Kam propozuar edhe një alternativë tjetër: ndërrimin e pozitave mes kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, LDK të merrte pozitën e kryetarit të Kuvendit, Kryetarja aktuale të bëhej nënkryetare. Me këtë rast LVV nuk do t’i kishte tre pozitat e larta shtetërore siç ankoheshin deri më tani. U refuzua edhe kjo".

Ndërkaq, për PDK-në, Kurti ka deklaruar se ka bërë ofertë që kjo parti të marrë drejtimin e Kuvendit, duke përmendur si opsione emrat e Bedri Hamzës ose Vlora Çitakut, me rrokadë të pozicionit të kryetares aktuale të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

"Kam bërë një ofertë konkrete edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të zhbllokuar situatën politike. Në këtë ofertë propozova një rrokadë mes Kryetares aktuale Haxhiu dhe përfaqësuesve të PDK-së, ku PDK mund të marrë pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Pra, Kryetarja Albulena Haxhiu të bëhej nënkryetare e Kuvendit, ndërsa Bedri Hamza ose Vlora Çitaku të merrnin drejtimin e Kuvendit. Ky do të ishte një koncesion i madh që e bëjmë ne që Albulena Haxhiu t’ia lirojë vendin Bedri Hamzës a Vlora Çitakut", ka shkruar tutje Kurti.

Ai ka shtuar se, pavarësisht takimeve dhe ofertave, opozita – sipas tij – nuk ka propozuar asnjë emër për kandidat konsensual për President, as në takime dhe as publikisht.

"Mbi të gjitha, sërish u ofrua edhe një zgjidhje tjetër, ku vet z. Konjufca deklaroi se mund të tërhiqet nëse paraqitet një figurë konsensuale. Pavarësisht kësaj, nga partitë opozitare, sot e asaj dite, nuk kanë paraqitur asnjë emër për kandidat për president. As në takime me mua dhe as publikisht për juve".

Në fund, Kurti ka theksuar se Kosova ka nevojë për mbarëvajtje të institucioneve dhe stabilitet institucional, duke përsëritur thirrjen që të respektohet rezultati zgjedhor dhe të shmangen zgjedhjet e përsëritura.

"Çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata", ka shtuar Kurti./Telegrafi/