Kurti për Handken: Cila është vlera që i jep çmimit Nobel, ky avokat i gjenocidit e mohues i dhimbjes e traumës së popujve të tërë?
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka reaguar për dhënien e çmimit Nobel në Letërsi, shkrimtarit austriak Peter Handke.
Kurti në një postim në llogarinë e tij Facebook ka pyetur se cila është vlera që i jep çmimit Peter Handke, sipas tij avokat i gjenocidit e mohues i dhimbjes e i traumës së popujve të tërë?
Ndër të tjera ai ka thënë se bëhen 55 vjet prej kur Jean-Paul Sartre e ka refuzuar çmimin Nobel për Letërsi duke mos dashur të transformohet nga vlerësimi prestigjioz.
Dallimi sipas Kurtit është se Sartre ishte në anën e të shtypurit që revoltohet ndërsa Handke është në anën e shtypësit që nuk pendohet.
Postimi i plotë:Sot, më 22 tetor, bëhen 55 vjet prej kur Jean-Paul Sartre e ka refuzuar çmimin Nobel për Letërsi. Thua se e ka ditur çka do të bëhet me këtë çmim në vitin 2019 kur ai iu nda Peter Handke-s.Sartre e ka refuzuar çmimin atëbotë sepse nuk ka dashur të transformohet nga vlerësimi prestigjioz, ndërkaq çmimi për Handke-n tashmë po e transformon vlerësimin e përgjithshëm për Nobelin për Letërsi.Ky çmim që konsiderohet si stolia më e lartë në jetën e një shkrimtari, prestigjin nuk e ka fituar nga paratë që ndan, por pikërisht nga emrat e atyre që historikisht ka stolisur. Pra, lista e të vlerësuarve ia ka rritur vlerën çmimit. Por, cila është vlera që i jep çmimit Peter Handke, ky avokat i gjenocidit e mohues i dhimbjes e i traumës së popujve të tërë?Oskar Wilde te portreti i Dorian Gray-t shkruante se “nuk ekziston libri moral apo imoral, veç libri i shkruar mirë apo keq”. Ama çmimi Nobel nuk i ndahet librave të veçantë, por gjithnjë i jepet një shkrimtari. E nëse librin a letërsinë edhe mund ta gjykojmë në vetvete, si të pavarur prej autorit, shkrimtarin nuk mund ta gjykojmë assesi si të pavarur prej vetes, veprës e fjalës së vet. Atë duhet ta vlerësojmë si njeri, si bashkëkohësin tonë, që me qëndrimet, fjalët e bëmat e veta ndërton personën e vet, po aq sa e ndërton edhe me veprat që shkruan. Andaj, pavarësisht çdo konsiderate “strikt letrare”, nuk mund të mos na revoltojë përzgjedhja e Peter Handke-s për çmimin Nobel në vitin 2019.Ballkani ka nevojë për drejtësinë, paqen dhe pajtimin, pas luftërave të përgjakshme dhe tensionimeve të vazhdueshme. Në fakt, nëpërmjet drejtësisë për krimet, edhe arrijmë tek e vërteta historike dhe njerëzore, te besimi i ndërsjelltë për pajtim në të ardhmen.Me Sartre-in nuk do të ishte e nevojshme të diskutoheshin këto. Me Handke-n nuk është e mundur të diskutohen këto. Sepse Sartre ishte në anën e të shtypurit që revoltohet. Ndërkaq Handke është në anën e shtypësit që nuk pendohet./Telegrafi/


