Kurti nderon Ilaz Kodrën në 27-vjetorin e rënies: Do të shkruhet me shkronja të arta në histori
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në fshatin Marinë të Komunës së Skenderajt, me rastin e 27-vjetorit të rënies së heroit Ilaz Kodra.
Gjatë vizitës, Kurti vendosi lule të freskëta dhe nderoi kujtimin e komandantit të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, duke vlerësuar lart figurën e tij në historinë e luftës çlirimtare.
“Komandanti Ilaz Kodra ra heroikisht para 27 vjetëve, pikërisht kur ishte në prag të ditëlindjes së tij të 33-të… duke e mbrojtur popullsinë civile, ai ra në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se Ilaz Kodra ishte një nga komandantët më të shquar të UÇK-së dhe se kontributi i tij mbetet i pashlyeshëm në historinë e vendit.
“Ilaz Kodra i ka përngja edhe në sjellje, edhe punë, edhe në organizim Adem e Hamëz Jasharit andaj emri i tij do të shkruhet me shkronja të arta në historinë e popullit tonë”, tha kryeministri.
Kurti shtoi se sakrifica e dëshmorëve të luftës çlirimtare mbetet kujtesë dhe përgjegjësi për gjeneratat e sotme, duke theksuar se liria dhe shteti i Kosovës janë rezultat i kësaj sakrifice.
Në fund të homazheve, ai nderoi të gjithë luftëtarët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës që ranë për lirinë e vendit. /Telegrafi/


