Please enter at least 3 characters.

Kurti i quan "deputetë nomadë" – Nomadët i përgjigjen: Ne e kemi edhe Kuvendin, kryetarin e shtëpinë

Në një deklaratë që do ta kishte zili edhe një poet, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, fajësoi deputetët opozitarë për moskonstituimin e Kuvendit, duke i quajtur... “deputetë nomadikë”.

Sipas Kurtit, deputetët e mazhorancës duan Kuvendin më shumë se opozita. Dhe si për të vërtetuar tezën e tij filozofiko-politike, shtoi:

“Deputetët opozitarë nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, prandaj janë nomadikë – sepse nomadët nuk duan të kenë shtëpi”.

Të habitur nga metafora e kryeministrit, Nomad Consulting – një firmë e konsulencës strategjike në Prishtinë – vendosi t’i kthejë “komplimentin” me një dozë sarkazme.

Në një reagim të postuar online, Nomadët shkruajnë: “Na vjen keq për Ju, por ‘Nomad’ është sinonim i suksesit. Për dallim nga ju, ne në Nomad kemi Kuvend funksional. Kemi edhe kryetar të Kuvendit. Ekzekutiv legjitim, jo ‘në detyrë’ pafund. Strategji të qarta – jo improvizime nga java në javë”.

Gjatë reagimit publik ata i thonë Kurtit: “Po, ne jemi Nomad – kemi shtëpi. Juve ju sygjerojmë ta bëni shtëpinë tuaj sa më parë - kaluan gati 5 muaj nga zgjedhjet. Me sarkazëm, ekipi i Nomad Consulting Group”. /Telegrafi/