KRU Mitrovica paralajmëron keqpërdoruesit: “Vjedhja e ujit nuk është hile, është shkelje e ligjit”
KRU “Mitrovica” ka njoftuar se keqpërdorimi i ujit dhe ndërhyrjet e paautorizuara në sistemin e furnizimit vazhdojnë të paraqesin problem për ndërmarrjen dhe konsumatorët që i kryejnë rregullisht obligimet e tyre.
Përmes një reagimi, ndërmarrja ka paralajmëruar se vjedhja dhe keqpërdorimi i ujit nuk mund të konsiderohen si “hile”, por përbëjnë shkelje të ligjit dhe mund të jenë të dënueshme.
Sipas KRU “Mitrovica”, çdo ndërhyrje ilegale, lidhje pa leje, manipulim i ujëmatësit apo konsum i paautorizuar shkakton dëme për ndërmarrjen dhe konsumatorët e rregullt, ndërsa ndikon edhe në rritjen e humbjeve të ujit.
“Çdo ndërhyrje ilegale, çdo lidhje pa leje, çdo manipulim i ujëmatësit dhe çdo konsum i paautorizuar dëmton ndërmarrjen, dëmton konsumatorët që paguajnë rregullisht, rrit humbjet e ujit dhe krijon kosto të panevojshme ligjore e operative”, thuhet në njoftim.
KRU “Mitrovica” u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i respektojnë rregullat dhe të mos ndërhyjnë në sistemin e furnizimit me ujë.
Ndërmarrja ka përsëritur disa kërkesa për konsumatorët: të paguajnë faturat, të mos e keqpërdorin ujin, të vendosin ujëmatësit dhe të mos manipulojnë me sistemin.
“Mos kërko që të tjerët të paguajnë për ujin që ti e konsumon dhe keqpërdor”, ka apeluar KRU “Mitrovica”. /Telegrafi/


