KRU “Hidrodrini” njofton për gjendjen e ujit në zonën e Pejës dhe Istogut
KRU “Hidrodrini” ka publikuar një njoftim të përditësuar mbi gjendjen e burimeve të ujit në zonën e mbulueshmërisë së saj.
Sipas raportit të rifreskuar nga Laboratori fiziko-kimik i kompanisë, shumica e zonave, përfshirë Pejën dhe Istogun, janë pa turbullira dhe uji është i sigurt për konsum.
Megjithatë, kompanisë i ka konstatuar turbullira në dy burime specifike: burimi i Deçanit, i cili furnizon vetëm fshatin Beleg, dhe burimi i Jarines në Klinë.
Konsumatorët që furnizohen nga këto burime rekomandohen që ujin ta konsumojnë të vluar deri në njoftimin e radhës.
“Kjo masë është parandaluese dhe ka për qëllim sigurimin e shëndetit publik. Do të vazhdojmë monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit dhe do të njoftojmë qytetarët për çdo ndryshim të gjendjes,” bëhet e ditur nga KRU “Hidrodrini”. /Telegrafi/


