Please enter at least 3 characters.

KRM Pastrimi në vështirësi në grumbullimin e mbeturinave, reagon Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Ndërmarrja Komunale “Pastrimi” po përballet prej një kohe me vështirësi në menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave në Kryeqytet, për shkak të pamundësive teknike momentale për të operuar me kapacitet të plotë.

Sipas Ramës, pas kërkesës së KRM “Pastrimi” për mbështetje institucionale, Komuna e Prishtinës ka reaguar menjëherë duke ofruar ndihmën e nevojshme dhe duke nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale “Pastrimi”.

“Menjëherë pas pranimit të kërkesës, kemi ofruar mbështetjen e nevojshme dhe kemi nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale ‘Pastrimi’, në të cilën janë përcaktuar ndihma konkrete dhe parimet bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional”, ka shkruar Rama.

Ai ka njoftuar se, në bazë të kësaj marrëveshjeje, nga sot ka nisur angazhimi i Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi” në terren, me fokus në grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte ndërtimore, si dhe të mbetjeve vëllimore nga deponitë ilegale në territorin e Kryeqytetit.

“Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve operative në terren, duke mundësuar shërbime më të shpejta dhe më efikase, në funksion të përmirësimit të pastërtisë dhe cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës”, ka theksuar kryetari Rama.

Nga Komuna e Prishtinës bëhet e ditur se bashkëpunimi ndërinstitucional do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, me qëllim të adresimit të sfidave në menaxhimin e mbeturinave dhe garantimit të shërbimeve publike për qytetarët. /Telegrafi/