Please enter at least 3 characters.

Kosova shkëlqen në Sarajevë, rrëmben gjashtë medalje në boks

Kombëtarja e Kosovës në boks ka regjistruar një sukses të rëndësishëm në turneun prestigjioz ndërkombëtar “Mustafa Hajrulahovic – Talijan”, i cili u zhvillua nga 28 korriku deri më 1 gusht 2026 në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Boksierët kosovarë e përfunduan garën me gjithsej gjashtë medalje, duke dëshmuar edhe një herë progresin e këtij sporti në arenën ndërkombëtare.

Medaljen e artë për Kosovën e fitoi Taulant Jakupi në kategorinë deri në 85 kilogramë, ndërsa Riad Isufi siguroi medaljen e argjendtë në kategorinë 55 kilogramë.

Katër medalje të bronzta u fituan nga Bashkim Bajoku (55 kg), Erdi Aliu (65 kg), Ensar Badallaj (70 kg) dhe Flori Tarani (75 kg).

Në finalen e kategorisë 85 kilogramë, Taulant Jakupi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, duke e mposhtur bindshëm boksierin shqiptar Useid Nika me rezultat 5:0. Jakupi dominoi gjatë gjithë meçit, duke treguar nivel të lartë teknik, disiplinë taktike dhe vendosmëri në ring.

Ndërkohë, Riad Isufi u përball në finalen e kategorisë 55 kilogramë me italianin Tommaso Orlando. Edhe pse nuk arriti fitoren, Isufi tregoi paraqitje të mirë dhe konfirmoi potencialin e tij si një nga boksierët e rinj më premtues të Kosovës.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Shefki Bogujevci, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit, duke vlerësuar angazhimin dhe disiplinën e boksierëve gjatë gjithë turneut.

Në këtë garë, Kosovën e përfaqësoi me sukses edhe gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli, i cili ishte pjesë e stafit të arbitrimit.

Rezultati në Sarajevë përbën një tjetër dëshmi të rritjes së boksit kosovar dhe një motivim shtesë për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.