Kosova për herë të parë udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore
Me afro 60 shtete pjesëmarrëse përfaqësuar nga ministrat, zv.ministrat, sekretarë shtetërorë dhe liderë kyç global të sektorit të bujqësisë, Republika e Kosovës ishte pjesë e Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi, në Berlin të Gjermanisë.
Kështu ka shkruar ministri në detyrë, Imri Delemezi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Tutje ai ka shkruar se gjatë këtij Forumi, në kuadër të Grupit Teknik për Zhvillim Regjional dhe Rural në Evropën Juglindore (SËG), për herë të parë Republika e Kosovës e udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore, duke konfirmuar rolin e saj gjithnjë e më aktiv e vlerorë në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese evropiane.
Si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë adresimeve të mija theksova se Republika e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian, përmes reformave të vazhdueshme, përafrimit të politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së, si dhe ndërtimit të një sektori bujqësor modern dhe të qëndrueshëm e në përputhje me nevojat e shoqërisë sonë.
Për tri ditë intensive, bashkë me delegacionin nga MBPZhR zhvilluam dhjetëra takime bilaterale dhe në margjinat e konferencës me partnerë strategjikë, përfshirë ministrat homologë të Kroacisë, Bullgarisë, Hungarisë, si dhe Bankën Botërore, Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve (ËOAH), Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO). Në fokus ishin investimet në siguri ushqimore, ujitje dhe infrastrukturë, rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, standardet veterinare, mbrojtjen nga reshjet atmosferike, digjitalizimi i bujqësisë, resurset njerëzore dhe përafrimi me politikat e Bashkimit Evropian.
Edhe njëherë Republika e Kosovës konfirmoi përkushtimin për reforma dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke u dëshmuar si partner i besueshëm rajonal dhe evropian për zhvillim, investime dhe siguri ushqimore.
Republika e Kosovës falënderon shtetet mike, përfshirë Gjermaninë, që përmes GFFA-së mundëson vlerësimin pozitiv dhe promovimin e Kosovës përmes dhe gjatë konferencave të tilla.
Edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovës thuhet se Kosova u përfaqësua nga Ministri në largim Imri Delemezi dhe u takua me Ministrin Federal Gjerman të Bujqësisë, Ushqimit dhe Komunitetit, Alois Rainer.
Sipas njoftimit thuhet se takimi u përqendrua në: Përputhjen me BE-në – Acquis, plane konkrete veprimi për bujqësi dhe pylltari të qëndrueshme, zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik. /Telegrafi/


