Mitrovica nis largimin e billboardëve pa leje, Peci lë të paprekur atë për Thaçin dhe Veselin
Kryetari i Mitrovicës ka njoftuar se autoritetet komunale kanë nisur aksionin për largimin e tabelave reklamuese dhe billboardëve të vendosur pa leje në hapësirat publike.
Përmes një reagimi publik, ai ka theksuar se qëllimi i këtij veprimi është vendosja e rendit dhe respektimi i ligjit në qytet.
“Të gjithë duhet të mësohemi që Mitrovicën ta bëjmë qytet normal ku sundon rregulli, rendi dhe ligji”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, billboardët që janë vendosur në mënyrë kundërligjshme po largohen nga autoritetet komunale, ndërsa ka bërë të ditur edhe një përjashtim të vetëm.
“Si kryetar, u kam rekomanduar që të ketë përjashtim vetëm billbordi i vendosur për Ish Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryekuvendarin Kadri Veseli për shkak të rrethanave në të cilat gjenden ata”, ka theksuar kryetari.
Ai ka reaguar edhe ndaj kritikave nga përfaqësues të opozitës, konkretisht të PDK-së.
“Përfaqësuesit e PDK-së që paskan dalë për të bërë filma në rrugë, le të pijnë ndonjë pije të ftohtë sepse po iu dhimbsen bizneset e jo Thaçi e as Veseli”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/


