Komuna e Gjilanit nis zbatimin e projekteve nga buxhetimi me pjesëmarrje të qytetarëve
Komuna e Gjilanit ka nisur procesin e implementimit të disa projekteve që kanë dalë nga procesi i buxhetimit me pjesëmarrje të qytetarëve.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Ibrahimi, së bashku me stafin e tij kanë zhvilluar vizita në disa lagje dhe zona të qytetit për të nisur nga afër procedurat për realizimin e projekteve të propozuara dhe të votuara nga banorët.
“I lumtur që këtë vit, po fillojmë me implementimin e disa projekteve që kanë dalë nga procesi i buxhetimit me pjesëmarrje të qytetarëve”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai bëri të ditur se gjatë ditës kanë qenë në terren në Lagjen e Tetë, në Rrugën e Prishtinës, në Lagjen e Zabelit, në Livadhet e Arapit si dhe në fshatin Livoq i Ulët, përkatësisht në Lagjen e Muhaxherëve, së bashku me zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit dhe përfaqësues të Zyrës së Projekteve.
Sipas Ibrahimit, gjatë vizitave janë takuar qytetarë të këtyre zonave dhe drejtues të shkollave, me të cilët gjatë vitit të kaluar janë mbajtur dy takime në kuadër të aktivitetit të buxhetimit me pjesëmarrje të qytetarëve.
“Në ato takime, banorët patën mundësinë të votojnë për projektet që dëshirojnë të realizohen në lagjet e tyre”, ka theksuar ai.
Ibrahimi bëri të ditur se ndër projektet që pritet të realizohen janë kënde lojërash për fëmijë, parqe dhe parkingje pranë shkollave.
“Disa nga projektet që pritet të realizohen janë: kënde lojërash për fëmijë, parqe dhe parkingje pranë shkollave”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas tij, qëllimi i vizitës në terren ishte identifikimi dhe përcaktimi i lokacioneve ku do të realizohen këto projekte.
“Fillimisht do të përgatiten projektet, ndërsa më pas do të vazhdohet me procedurat e nevojshme deri në implementimin e tyre. Së bashku për lagje më të mira dhe kushte më të mira për qytetarët tanë”, ka deklaruar drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, Kushtrim Ibrahimi. /Telegrafi/


