Komuna e Ferizajt organizon debat publik për menaxhimin e mbeturinave
Komuna e Ferizajt, pikërisht drejtoria për Shërbime Piblike, ka organizuar një debat publik me qytetarë për t’u konsultuar lidhur me Draft-Vlerësimin Strategjik Mjedisor dhe Planet Ndërkomunale të Menaxhimit të Mbeturinave. Në këtë tubim morën pjesë vetëm pesë qytetar.
Ky Draft-Vlerësimin Strategjik Mjedisor përfshijnë komunat: Gjilan, Kamenicë, Viti, Novobërdë, Partesh, Kllokot, Ranillug, Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Hani i Elezit, Shtërpcë dhe Kosovë.
Pjesmarrja e vogël e qytetarëve në këtë tubim ka nxitur reagimin e shoqërisë civile “Avonet” të cilët kanë kërkuar nga komuna të bëjnë më shumë ftesa për raste të tilla.
Kenan Gashi drejtor ekzekutiv në këtë OJQ, ka thënë për Telegrafin se, komuna duhet t’i fton të gjithë përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve urbane sa herë që ka debate publike me qëllim që ata të japin kontributin e tyre për tema të ndryshme.
“E kemi thënë shumë herë që debatet publike jo vetëm në Ferizaj por edhe në shumë komuna të tjera organizohen me numër të vogël të qytetarëve, prandaj kjo po ndodh për shkak të informimit të dobët. Duhet që secila komunë të ketë strategji për t’i informuar qytetarët për debate publike e, sidomos kryetarët e fshatrave dhe lagjeve urbane. Është mirë që mos të vazhdohet me praktika të vjetra sepse sa më shumë qytetar në debate aq më shumë ka produktivitet ajo mbledhje”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Ferizajt, Alberton Sahiti, theksoi rëndësinë e këtij dokumenti, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të praktikave të menaxhimit mjedisor.
Sipas tij ky dokument ka për qëllim sigurimin e praktikave më të mira për menaxhimin e fraksioneve të ndryshme të mbeturinave në rajon, përfshirë masat për parandalimin dhe minimizimin e gjenerimit të tyre.
“Ky studim parafizibiliteti, në thelb, ofron një plan të qartë veprimi për zbatimin e një sistemi të integruar ndërkomunal për menaxhimin e mbeturinave,” tha Sahiti.
Pjesëmarrësit në konsultim shprehën mbështetje për planin, duke dhënë njëkohësisht edhe propozime dhe komente për përmirësimin e mëtejshëm të tij.
Dokumenti është i hapur për konsultim publik deri më 23 qershor 2025, dhe ftohen të gjitha palët e interesuara të japin kontributin e tyre përmes komenteve dhe sugjerimeve në adresë të Komunës së Ferizajt./Telegrafi/


