Komisionerja për Zgjerim: Shqipëria mund të anëtarësohet në BE në vitin 2029
"Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian brenda vitit 2029, nëse vijon me ritmin aktual të reformave".
Kështu deklaroi Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni.
“Ne kemi hapur dy grupkapituj të tjerë me Shqipërinë dhe kemi rënë dakord me kryeministrin Edi Rama që së pari do të festojmë në Bruksel, e më pas vitin e ardhshëm me një ndeshje futbolli në Tiranë mes vendeve anëtare dhe vendeve kandidate, ku do të marrë pjesë edhe presidenti i UEFA-s”, tha Kos.
Ajo theksoi se procesi i zgjerimit është në një fazë të rëndësishme dhe se në vitin 2028 Bashkimi Evropian mund të numërojë 28 anëtarë, ndërsa me përparimin e Shqipërisë, në vitin 2029 ky numër mund të shkojë në 29.
“Me Malin e Zi po ecim përpara dhe është e mundur që në vitin 2026 të përfundojmë aspektin teknik të negociatave. Nëse Edi Rama vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, atëherë në 2029 mund të kemi 29 anëtarë. Kështu që, shpejtoni”, u shpreh Komisionerja për Zgjerimin.


