KOMF: Fëmijët të mos përdoren në fushata zgjedhore, kërkohen masa nga KQZ
Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar ndaj përfshirjes së fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore, duke kërkuar ndërhyrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në reagimin e tij, KOMF thekson se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për mosangazhimin e fëmijëve në aktivitetet politike, subjektet politike po vazhdojnë t’i përfshijnë ata në fushata, duke cenuar të drejtat dhe mirëqenien e tyre.
Sipas këtij koalicioni, përdorimi i fëmijëve për qëllime politike përbën shkelje të të drejtave të fëmijës dhe bie ndesh me parimin e interesit më të mirë të fëmijës, duke rrezikuar dinjitetin dhe mbrojtjen e tyre.
KOMF i ka bërë thirrje KQZ që të monitorojë në mënyrë aktive aktivitetet e subjekteve politike dhe, në rastet kur konstatohet përfshirja e fëmijëve në fushatë, të ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ky reagim vjen në një kohë kur fushatat zgjedhore në Kosovë janë intensifikuar, duke shtuar edhe shqetësimet për respektimin e standardeve të mbrojtjes së fëmijëve në aktivitetet politike.


