Kokainë në çantën e udhëtarit, Dogana e Kosovës godet dy raste të drogës në Vërmicë
Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë zbuluar dy raste të substancave narkotike gjatë kontrolleve të automjeteve në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.
Sipas Doganës së Kosovës, në rastin e parë gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti që po hynte në Republikën e Kosovës, janë gjetur 104.90 gram substancë narkotike e dyshuar si kokainë, e fshehur në çantën personale të një udhëtari.
Testet fillestare të kryera me pajisjen TruNarc dhe testin fushor kanë rezultuar pozitive për kokainë. Pas kontrollit të plotë dhe skanimit të automjetit nuk janë evidentuar parregullsi të tjera, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme.
Në rastin e dytë, gjatë kontrollit të një automjeti tjetër në të njëjtën pikë kufitare, janë zbuluar 5.53 gram substancë narkotike e dyshuar si kanabis/marihuanë, e fshehur në hapësirën e bagazhit. Gjatë kontrollit është gjetur edhe një thikë kuzhine e padeklaruar. /Telegrafi/


