Kim Kardashian mbyll mosmarrëveshjen ligjore me Ivan Cantu, ndërsa shijon pushimet
Kim Kardashian ka ndarë me ndjekësit në Instagram disa fotografi nga pushimet e saj në liqen, ku u shfaq me bikini të zeza, ndërsa paralelisht ka marrë një vendim të papritur në një çështje ligjore që e shoqëronte prej muajsh.
Sipas TMZ, 45-vjeçarja ka vendosur të heqë dorë nga 167 mijë dollarët (afërsisht 145 mijë euro) që Ivan Cantu ishte urdhëruar t'i paguante si shpenzime ligjore, pas rrëzimit të padisë së ngritur kundër saj.
Mosmarrëveshja nisi në shkurt të vitit 2024, kur Kim Kardashian publikoi gabimisht në rrjetet sociale fotografinë e Ivan Cantu-t, duke e identifikuar atë si një të dënuar me vdekje, ndërkohë që synonte të promovonte rastin e një personi tjetër me të njëjtin emër, shkruan DailyMail.
Cantu e paditi më pas Kardashian, duke pretenduar se publikimi i fotografisë së tij para miliona ndjekësve i kishte shkaktuar dëmtim të reputacionit, ankth dhe depresion.
Megjithatë, gjykata e hodhi poshtë padinë dhe e urdhëroi atë të mbulonte shpenzimet ligjore të yllit të reality show.
Sipas raportimit, palët e kanë zgjidhur çështjen privatisht. Përfaqësuesit ligjorë të Kim Kardashian deklaruan se ajo pranoi të hiqte dorë nga shuma e caktuar nga gjykata, ndërsa Ivan Cantu tërhoqi përfundimisht padinë ndaj saj. /Telegrafi/


